Politikë

Zbardhet mbledhja e grupit të PD/ Bardhi kërkon vijimin e kaosit! Alizoti: Takimet t'i bëjmë në seli

Deputeti Luan Baçi ka kërkuar që të bëhet një rezolutë për arrestimin e Sali Berishës, por kjo është kundërshtuar nga Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin

E.K
Zbardhet mbledhja e grupit të PD/ Bardhi kërkon vijimin e kaosit!
Gazment Bardhi

TIRANË- Zbardhen detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e mbajtur këtë të premte në Kryesinë e Kuvendit. Gjatë fjalës së tij kreu i grupit Gazment Bardhi e ka vënë theksin tek aksioni opozitar në Kuvend dhe ligjet që do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Konkretisht ligjin për portin e Durrësit dhe taksimin e profesioneve të lira. Sa i përket jetës parlamentare, Bardhi ka kërkuar që e hëna të jetë vazhdim i situatave që mbyllën vitin e shkuar me kaos në Kuvend.

Gazment Bardhi: Aksioni ynë në Kuvend do të vazhdojë edhe ditën e hënë, edhe në çdo seancë, derisa të përmbushen kushtet tona. Pra dita e hënë, 15 janar kemi protestë. Mbi formën dhe nëse është momenti për përshkallëzim mund të diskutojmë. Ne kemi shprehur gatishmërinë për zgjidhje, por ka qenë Edi Rama që kërkon eliminimin e opozitës. Këtë e kemi të papranueshme dhe ne duhet të përballemi me këtë realitet. Nga ana tjetër, kemi dy çështje që duhet ti dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. E para ligji special për grabitjen e Portit të Durrësit dhe faljen e pronës publike. E dyta, ligji për tatim fitimin për profesionistet e lira dhe shtresën e mesme, që parashikohet të paguajnë dyfishin krahasuar me oligarkët. Këtë pabarazi duhet ta godasim në Gjykatë dhe të mbrojmë interesin e 260 mijë qytetarëve. Gjithashtu, dua t’ju informoj mbi përpjekjet për bashkimin në një front të gjithë opozitës. Me aleatët po punojmë për një konfederatë bashkimi për të gjithë faktorët opozitarë. Të gjithë aleatët që janë në opozitë me Edi Ramën. Bashkë me Flamurin kam takuar Dukën, Mediun dhe Vasilin, ndërkohë që dje jam takuar edhe me Shpëtim Idrizin, që në parim nuk është kundër frontit opozitar por kërkon më shumë detaje sigurisht sesi do funksionojë kjo gjë. Po punojmë për një axhendë të përbashkët opozitare me të gjithë aleatët dhe do ua bëjmë të ditur.

Po ashtu ka pasur diskutime dhe sa i përket situatës në Partinë Demokratike. Deputeti Luan Baçi ka kërkuar që të bëhet një rezolutë për arrestimin e Sali Berishës, por kjo është kundërshtuar nga Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin, raporton BW. Ndërsa Tomor Alizoti, sipas BW ka kërkuar që mbledhjet e grupit të bëhen në seli që në këtë mënyrë bashkimi i grupit të jetë real.

Diskutimet:

Tomorr Alizoti: Ne duhet të bëjmë partinë, duhet të bëjmë mbledhjet në seli, na duhet bashkimi real politik. Pastaj na duhet që secili deputet të shkojë në zonën e vet dhe të takojë qytetarët për problemet e tyre. Ne duhet të kemi një qëndrim si grup parlamentar për Berishën. Unë nuk kam qenë me Sali Berishën, as kam qenë ministër i tij, por duhet të mbrojmë figurat politike të opozitës.

Luan Baci: Të bëjmë një rezolutë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Sali Berisha dhe sulmi politik që po bën SPAK. Dhe ju duhet ta njihni që ai është kryetari jonë. Siç ne kemi njohur Gaz Bardhin si kryetar grupi, duhet njohur Sali Berisha si kryetar partie dhe sigurisht edhe sulmi politik që po i behet.

Gazment Bardhi: Nuk mendoj që ka nevojë për rezoluta. Duhet të merrni me çështjet që i takojnë grupit parlamentar dhe betejës tonë me Edi Ramën. Z. Berisha e ka bërë të qartë që nuk përfshinë grupin parlamentar në këtë çështje.

Bledion Nallbati: Edhe unë nuk mendoj që e ndihmojmë Sali Berishën me rezoluta. Sali Berishën, PD dhe opozitën e ndihmojmë vetëm duke forcuar partinë dhe duke mundur Edi Ramën. Të tjerat janë servilizma pa vlerë që nuk ndihmojnë askënd. Ne duhet të mendojmë sesi forcohet PD dhe opozita./ZËRI

Poll

MOS HUMB