GREQI- Kryeministri i vendit Edi Rama ka vizituar ditën e djeshme më 16 shtator Malin e Shenjtë në Greqi ku ka qëndruar edhe në Manastirin e Madh të Vatopedit.
Vizita është bërë publike nga media greke e cila ka publikuar edhe pamje nga qëndrimi i kryeministrit shqiptar në manastir.
Rama udhëtoi drejt Malit të Shenjtë i shoqëruar nga djali i tij Greg Rama dhe kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo. Të tre mbërritën në portin e Dafnës ku kryeministri zhvilloi një takim me Guvernatorin Politik të Malit Athos, Alkiviadhis Stefanis.
Pas takimit Rama vijoi vizitën në Manastirin e Madh të Vatopedit. Atje u prit nga igumeni Jerond Efremi Vatopedini dhe u njoh me hapësirat e manastirit duke shprehur admirimin e tij për arkitekturën dhe veprat e pikturës.
Gjatë qëndrimit kryeministri shqiptar u ndal edhe te trashëgimia artistike dhe shpirtërore e Vatopedit.
Sipas raportimit të medias greke kryeministri i vendit Edi Rama e kaloi natën në Manastirin e Madh të Vatopedit dhe u largua prej aty mëngjesin e së enjtes./ZËRI