Politikë

Meta paralajmëron çështje të bujshme: ‘5D’ s’është asgjë, do jetë më e rëndë ‘15 drejtoreshat’

Meta tha se në vend funksionon drejtësia me regji.

f.t
Meta paralajmëron çështje të bujshme: ‘5D’
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i PL Ilir Meta në një konferencë për shtyp foli për Reformën në drejtësi. Meta tha se në vend funksionon drejtësia me regji ndërsa përmendi edhe dosjet pa fund që kanë ngelur pa u trajtuar nga gjykatat. Teksa kreu i PL tha se do ta kthejë drejtësinë në vend në shinat e kushtetutshmërisë, ai paralajmëroi se një dosje tjetër do jetë më e rëndë.

“Nga drejtësi e plepave te ramaforma, sa kohë duhet për të shqyrtuar një dosje? Është katërfishuar koha. Ku është efikasiteti he reagimi për t’i dhënë të drejtën qytetarit? 115 mijë dosje që nuk janë prekur me dorë. Ka një forcë politike si PL për fat ta mirë që do i japë fund këtij regjimi dhe që do kthejë drejtësinë në shinat e Kushtetutës. Diplomatë të BE që jeni në Tiranë, ndaj Rama guxoi të vjedhë edhe lekët e IPARDIT se kishte garancinë se drejtësia e kapur prej tij s’do bënte hap para për të hetuar skandalet. Shkuan edhe për miqtë e kryerilindasit. Veliaj thirret në SPAK vetëm pas katër vitesh. Vodhe në Aferën e inceneratorit që nuk ekziston. Drejtësia bëri veprime fiktive vetëm pas protestave të zjarrta të qytetarëve për “5D”,. Kjo nuk ishte asgjë. Do të jetë më e rëndë ajo e “15 drejtoreshave”, tha ai.

Sa i përket dosjes "5D" Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”.  “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro. 

Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.

Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.

Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”./ZËRI

Poll

MOS HUMB