Politikë

Reforma Zgjedhore tek 'Ligjet', Lapaj dhe Mediu: Partive t’u lihet mundësia të zgjedhin, nëse duan lista të hapura

Lapaj theksoi se fleta e votimit për diasporën duhet të jetë e njëjtë në format me fletën e votimit brenda vendit, duke shtuar se duhet të ndryshojë vetëm ngjyra, me qëllim që mos të bëhen manipulime.

f.t
Reforma Zgjedhore tek 'Ligjet', Lapaj dhe Mediu: Partive t’u
Fatmir Mediu dhe Adriatik Lapaj

TIRANË-Në Komisionin e Ligjeve po diskutohet drafti i dakordësuar mes PS dhe PD për reformën zgjedhore. Kryetari i ‘Shqipëria bëhet', Adriatik Lapaj dhe Fatmir Mediu në diskutimet për Reformën Zgjedhore propozojnë që partive t’iu lihet opsionale nëse do duan që ta mbyllin 1/3 e listës për deputetë. 

Lapaj theksoi se fleta e votimit për diasporën duhet të jetë e njëjtë në format me fletën e votimit brenda vendit, duke shtuar se duhet të ndryshojë vetëm ngjyra, me qëllim që mos të bëhen manipulime. Ai tha se për votën e diasporës duhet të ngrihet një strukturë e posaçme me 5 anëtarë, nga institucione të pavarura.

“Fleta e votimit për votuesit në diasporë të ketë format të njëjtë, por duhet të jetë me ngjyrë ndryshe nga fleta e votimit brenda vendit. Kjo do bënte që fletët të mos silleshin në Shqipëri e të mos keqpërdoreshin. Ata që presin zarfet postare duhet që të jetë një strukturë e posaçme me 5 anëtarë, anëtarë që përcaktohen me short nga institucione të pavarura. Ju mund ta lini opsionale, pra meqë kushtetuta e parashikon 2/3 e hapur. Ta lini në dorë të partisë, pra të jetë partia që zgjedh nëse do ta mbyllë një të tretën, pra që të fusni në lista të sigurta njerëz teknikë por nuk marrin shumë vota, dhe të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”, tha Adriatik Lapaj.

Edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, propozoi se është çështje e vullnetit të partisë të vendosë për listat e hapura.

“Nëse do ta lërë listën tërësisht të hapur ta lërë të hapur. Në kushtetutë thuhet jo më pak se 1/3, është çështje e vullnetit të partisë. Mendoj që alternativa e lënies së hapur të kësaj mundësie, duke marrë parasysh edhe ato faktorë që u thanë për gjeneralët dhe ushtarët. Partitë që duan ta mbyllin listën për ata, dhe pastaj të lënë mundësi për të rinjtë që vijnë e konkurrojnë. Se kanë besimin e qytetarëve që u japin votën. Nëse flasim për demokraci përfaqësuese ne përfaqësojmë jo thjesht partitë, por vullnetin e qytetarëve. Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”, tha Mediu.

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord në parim për një draft të dakordësuar për votën e Diasporës. Sipas draftit palët kanë rënë dakord që emigrantët, duhet të bëjnë kërkesë për të votuar pranë Gjendjes Civile dhe KQZ-së dhe duhet të paraqesin dokumentet e një adrese të saktë. Sipas këtij drafti votimi do të realizohet me postë dhe ky shërbim do të përzgjidhet në operator ndërkombëtar me reputacion serioz. Palët gjithashtu kanë rënë dakord që 2/3 e listës së deputetëve të jetë e hapur dhe 1/3 të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB