
TIRANË- Reforma zgjedhore është gati! Zbardhet drafti i përbashkët i Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike lidhur me Reformën e re Zgjedhore. Me draftin e publikuar në media, mbi të cilin po diskutohet edhe në Komisionin e Ligjeve, duket se pavarësisht qëndrimeve, të dy palët janë dakordësuar për votën e diasporës.
Por si do të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit?
Projektligji e thotë qartë; votimi do të bëhet me postë dhe më pas, votat do të numërohen në Shqipëri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
"Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve,"-shkruhet në draft. Por jo vetëm kaq! Edhe një zgjedhës që ndodhet jashtë vendit dhe dëshiron që të votojë në zgjedhjet e radhës, për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit, mjafton që të aplikojë për t'u regjistruar dhe mund ta ushtrojë të drejtën e tij për të votuar. Por në draft nuk është e qartë sesi do të llogariten votat e diasporës.
Sa i përket pikës që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura. Të dy palët kanë arritur marrëveshje, me PS që ka hequr dorë nga pragu, ndërsa demokratët që kanë pranuar që 1/3 e listës shumëemërore të jetë ekskluzivitet i kryetarit të Partisë.
Si do të bëhet shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës?
Në draft shkruhet se në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë më shumë vota sesa herësi ndarës i mandateve. Ky i fundit do të llogaritet del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, pjestuar me 1.5. Por në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota.
"Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”
SHEMBULL: Nëse në zgjedhjet e 2021, në Tiranë u cilësuan si të vlefshme 450395 vota, PS kishte 226842, 18 mandate. Në këtë rast herësi është 8 mijë vota! Por në zgjedhjet e ardhshme, herësi nuk mund të jetë më shumë se 7000 vota.
Kandidatët e listës shumëemërore do rirenditen në bazë të numrit të votave, në rast se është i barabartë, atëherë vendos shorti!/ZËRI