
TIRANË- Në shtator pritet që të nisë dhe procesi i rivlerësimit të pronave të qytetarëve në mbarë vendin. Nisma e propozuar nga deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, për uljen e tatimit nën 15% sa e përcakton ligji ka marrë dhe mbështetjen e opozitës, por palët kanë ende diskutime sa i përket normës së tatimit.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte në Komisionin e Ekonomisë deputetët nga të dy forcat politike dhanë propozimet e tyre. Ndërsa në sallë ishte dhe ministri i Financave, Ervin Mete. Demokrati, Edmond Spaho propozi që norma e rivlerësimit të zbresë deri në 2%.
Ndërsa deputeti i PS, Vullnet Sinaj u shpreh se taksa duhet të jetë 4%, ndërsa shtoi se nuk duhet që të jenë pjesë e procesit ata që janë në proces legalizimi sepse ata nuk janë bërë pronarë dhe ndoshta legalizimi nuk miratohet dhe faktorizohen si pronarë.
Disktutimet:
Edmond Spaho: Do të sugjeroj që ta zbresim deri në 2%.
Vullnet Sinaj: Taksën ta bëjmë 4%. Nuk mund të rivlerësojmë ata që janë në proces legalizimi sepse ata nuk janë bërë pronarë dhe ndoshta legalizimi nuk miratohet dhe ne i faktorizojmë si pronarë. Unë mendoj se duhet të ëprfitojnë ata që kanë legalizuar pronmën dhe janë në proces regjistrimi
Erion Braçe: Për çështjen e tatimit, nga 15% në 5% është një favor e normë që bëhet, kjo historia që nga 15% ta bëjmë 2, 3, 4% nuk bën sens. Bën sens që ne të bëjmë një diferencim mes shtëpisë së parë dhe të dytë, të tretë… arsye strehimi po patjetër duhet favorizuar.
Ervin Mete: Projektligji vjen në Këshillin e Ministrave merret mendim dhe më pas jepet qëndrim për nismën. Në parim qëndrimi u dha dje nga kryeministri dhe ai është qëndrimi i kryeministrit. Por duhet që institucionet të shprehen për mundësinë e zbatimit./ZËRI