
SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka zbardhur pikat kryesore që janë diskutuar në mbledhjen me kryebashkiakët. Përpara gazetarëve, Kreu i Qeverisë tha se do të ketë një rindarje të pagave në Bashki që do të jenë vetëm në dy nivele, nga pesë që janë aktualisht. Sipas Ramës, kjo gjë do të bëjë që Bashkitë e vogla të kenë mundësi financiare që të punësojnë specialistë. Ai foli dhe për një financim prej 50 milionë eurosh për dixhitalizimin e shërbimeve në bashki dhe shtoi se është diskutuar për kalendarin e ri kulturor artistik të këtij sezoni. Rama tha se është diskutuar edhe për lehtësimin e procedurave për lejet e ndërtimit në fshat, legalizimet, tarifat e pastrimit, taksën e pronës dhe qasjen e Bashkive ndaj pyjeve. Një tjetër pike që është diskutuar sipas kryeministrit, është edhe ringjallja e aseteve të vjetra, si shkolla, godina e qendra të shëndetësore, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor.
“Kemi zhvilluar diskutime për tema të rëndësishme që përbëjnë edhe pikat e rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE. Do bëjmë një rritje të pagave në mënyrë që të përafrojmë nivelin e bashkive të vogla me ato të mëdhatë. Sepse për shkak të pagës së ulët dhe pozicionit gjeografik nuk arrijnë që të punësojnë as specialist të ndryshëm. Po ashtu kemi diskutuar për përformancën e pastrimit, ka bashki me rezultate shumë të mira, ka bashki që lënë për të dëshiruar. Kemi diskutuar për keqpërdorimin e pasurisë, si pyjet, na duhet që t’i vëmë në funksion të rritjes ekonomike. Sot janë 67% e bashkive që nuk kane plane të tilla dhe kjo është një shifër alarmante. Kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse, sesi bashkitë do të mund të aksesojnë fondet e Bashkimit Ebropian. Kemi diskutuar për procedurat e domosdoshme për lejen e ndërtimit në fshat. Nuk kanë pse të kenë të njëjtat procedura si në qytet apo si në zonat ku ka trashëgimi kulturore. Kemi një numër jo të vogël legalizimesh të mbetura që për arsye jo dhe aq të kuptueshme, kanë ngecur. Duke angazhuar dhe bashkitë, do t’i japim një shtysë dhe këtij procesi. Na duhet ndihma e bashkive. Këto janë pak a shumë temat kryesore. Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ringjallja e aseteve të vjetra, shkolla të vjetra, godina të braktisura, qendra të kahershme shëndetësore, reparte ushtarake që kanë më asnjë përdorim, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor. Në tërësi ka qenë një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë. Ka pasur shumë ndërveprim dhe rezultat, sipas nesh. Do të financojmë rreth 50 milionë euro për digjitalizimin në bashki,”- tha Rama.