
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është shprehur kundër marrëveshjes me Partinë Socialiste. Edhe sot, pas mbledhjes së grupit parlamentar, në një deklaratë për gazetarët, Salianji tha nuk i shikon si fitore ngritjen e dy Komisioneve Hetimore. Sipas tij, kushtet e ngritjeve të këtyre komisioneve, janë ë padëmshme për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ndaj edhe marrja e 2 Komisioneve nuk është e suksesshme për të. Për më tepër, thekson se kjo mund të ndikojë në imazhin e opozitës.
"Jemi në kushtet kur jemi përpara një ligji për komisionet hetimore që nuk i bën transparente. Në fund të ditës, a ka nja dy-tre muaj Rama që thotë me ligjin e ri merrini të 8 komisionet hetimore. Nuk bëj dot sikur fituam. Se me ligjin e ri të jep 8 se uk të jep asgjë. Kufizimi që i bëhet me 2 anëtarë është hap pas në raport me të drejtat e partive politike në këtë vend. Kostot i mbeten PD se e theksoj, Rama nuk mban marrëveshje. Nuk bëhemi si lavjerrës si ka ndodhur në këtë parti. Koha do ta konfirmojë dhe do e shohim se me Edi Ramën asgjë nuk ndodh. Normalizimin nuk ia japim si bonus që na jep Rama. E kemi pasur atë të drejtë dhe nuk kemi shkuar. Në këtë kontekst them se na ulet besueshmëria dhe dëmtohet opozita tek demokratët dhe shoqëria. Kjo nuk ka asnjë krisje, diskutimi i PD ka tjetër ndikim, kjo është një qasje tjetër që ka të bëjë me parlamentin. Ndërkohë që gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen në parlament. Ne nuk mund të lëmë të hapur asnjë lloj diskutimi që vendosin në pikëpyetje gjithçka kemi thënë në të kaluarën. Ne kemi vetëm një kërkesë, zbatimi i Kushtetutës dhe rikthimi i të drejtave të opozitës. Nga ajo lind kërkesa për zhvillimin e Komisioneve Hetimore; kemi pasur kërkesë për rikompozimin e Reformës Zgjedhore, nuk ka për të pasur se nuk do Edi Rama; nuk ka për të pasur asnjë efekt dhe të mirë publike. Zgjidhja është ose vazhdimi i rrugës me përballje, ose rikthimin në shinat e parlamentit,"-tha Ervin Salianji.
Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës, aktualisht janë në një ngërç, pasi takimi i lënë për sot, nuk u zhvillua. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat. Por lidhur me këtë çështje, palët nuk e kanë ndarë ende objektin e hetimit. Kështu Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve./ZËRI