TIRANË- Komisioneri i Bashkimit Evropian për Demokracinë Drejtësinë Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath ka zhvilluar sot një vizitë në Tiranë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, McGrath është takuar me kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e vendit në procesin e integrimit europian, veçanërisht për reformat në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Pas takimit, komisioneri europian ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar se vendi mbetet ndër shtetet që po avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE”, tha McGrath.
Ai nënvizoi se reformat në drejtësi dhe sundimi i ligjit mbeten në themel të procesit të anëtarësimit, ndërsa vlerësoi edhe hapat e ndërmarrë deri tani nga Shqipëria.
Megjithatë, mesazhi i komisionerit europian ishte edhe për vijimin e përpjekjeve dhe ruajtjen e ritmit të reformave, me qëllim që progresi i arritur të shndërrohet në rezultate të qëndrueshme.
“Ka një historik të fortë progresi dhe një ambicie të qartë. Tani, ky ritëm duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, tha McGrath./ZËRI