
TIRANË- Është mbyllur ditën e djeshme komisioni hetimor për nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS, pa prodhuar asnjë rezultat të përbashkët mes forcave politike, të cilat do t’i drejtohen Kuvendit me dy raporte. Komisioni i ngritur në datën 2 Prill të këtij viti, si një pakt për rikthimin e opozitës në normalitet, pas protestave me tym dhe flakë, praktikisht nuk prodhoi asgjë, përveç batutave të përsëritura mes dy bashkëkryetarëve Ervin Salianji dhe Toni Gogu. Shumica e dëshmitarëve që u morën në pyetje nga ky Komision, i dhanë dëshmitë e tyre me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, duke i lënë të “dhënat e llahtarshme” vetëm në gojën e Ervin Salianjit dhe deputetëve të tjerë të opozitës. Edhe pse deputetët e PD-së kishin kërkuar më shumë kohë, dhe zgjatjen e afateve të këtij Komisioni, socialistët me forcën e kartonit rrëzuan të djathtët, dhe paraqitën dje raportin e tyre.
Ishte deputeti Toni Gogu ai që prezantoi raportin para Komisionit, ndërsa në dokumentin voluminoz shpjegohet e gjithë metodologjia e ndjekur nga ekspertët sipas Planit Hetimor të miratuar paraprakisht dhe vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës. Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.
“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhej mes të tjerash në konkluzionet e raportit të këtij Komisioni Hetimor.
Në vijim të konkluzioneve të këtij hetimi, raporti thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”.
Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime. Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht:
a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”
b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS,
b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS,
c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.
Komisioni rekomandon ndërtimin e një strategjie të shkruar operacionale e teknike në përputhje me konceptin e “Menaxhimit të integruar të kufirit”, midis autoriteteve përgjegjës, sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit 71/2016.
“Është thelbësore, që çdo organ i varësisë së ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, përgjegjës për kontrollet kufitare edhe sistemin TIMS, t'i nënshtrohet llogaridhënies së detajuar dhe masave mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave, në mënyrë përiodike. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta të kontrollit kufitar, përfshirë edhe testimet e certifikimet e sistemeve TIMS të zbatuara në Shqipëri, duhet t'i nënshtrohen mbrojtjes efektive të të dhënave”, rekomandon Komisioni Hetimor.
Në vijim të këtij raporti, Komisioni Hetimor rekomandon gjithashtu përcjelljen e ndryshimeve ligjore brenda 6 muajve nga miratimi i këtij raporti në Kuvend.
“Mirëpresim gjithashtu që në draft-propozim të jenë inkuadruar tërësisht sugjerimet e rekomandimet e dhëna në këtë raport”, thuhet në rekomandimet e dokumentit të Komisionit Hetimor.
“Konkluzionet e këtij raporti që i përkasin hetimit, me provat që janë administruar e çojnë komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes, përfshirë edhe masat për përsonat përgjegjës”, thuhet në raportin e Komisionit Hetimor.
Nga ana tjetër, Ervin Salianji nuk i kurseu kritikat ndaj socialistëve, njësoj siç ka bërë në të gjitha mbledhjet e tjera të Komisionit, ndërsa depozitoi edhe raportin shtesë nga opozita, që pritet t’i kalojË Kuvendit në seancat e ditës së enjte dhe të premte, të fundit për këtë sesion parlamentar.
Salianji ka paraqitur raportin e grupit të ekspertëve të opozitës lidhur me hetimin e kryer mbi atë që nga opozita konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit. Referuar këtij raporti, rezulton se Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për t’u emëruar në detyrën e Drejtorit të Departamentit të IT-së.
Në raportin përfundimtar të ekspertëve thuhet se “nga të dhënat publike dhe faktet e njohura botërisht, të cilat u sollën nga anëtarët e Komisionit Hetimor, rezulton se punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë për detyrë të ruajnë dhe administrojnë të dhënat e sistemit TIMS, e kanë përdorur të drejtën e aksesit për t’ua vënë në dispozicion të dhënat e këtij sistemi elementëve të krimit të organizuar, të cilët kanë interes të veçantë për t’u njohur me hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë, urdhërat e arrestit, ndalimit, kërkimit, masat ndaluese nga shtetet e huaja, vendimet gjyqësore penale nga autoritetet shqiptare apo të huaja, automjetet me të cilat lëvizin shtetas të caktuar etj”.
Raporti shton se "të dhënat e sistemit TIMS iu kanë shërbyer grupeve kriminale për të bërë eleminimin e kundërshtarëve të tyre, për të kufizuar lëvizjet jashtë vendit apo edhe për t’u arratisur në rastet kur ndaj tyre janë lëshuar urdhër arreste kombëtare apo ndërkombëtare". “Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se në sistemin TIMS janë kryer ndërhyrje, të cilat mundësojnë që për persona të caktuar, të mos regjistrohen hyrje-daljet e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe nëse regjistrohen, kërkimi në bazën e të dhënave të TIMS nuk bëhet i plotë duke shmangur databazat e të dhënave kriminale, çka mundëson që shtetas shqiptar apo të huaj që mund të jenë në kërkim kombëtar a ndërkombëtar, apo të dënuar për kryerjen e krimeve, të hyjnë dhe dalin lirisht nga territori pa pasur ndonjë alert nga sistemi”.
Teksa ishte e pamundur që të dakordësoheshin për gjetjet e Komisionit, ngjashëm me të gjitha Komisionet e tjera Hetimore që janë ndërmarrë në Kuvend, socialistët dhe demokratët, të paktën gjetën gjuhën e përbashkët në pikëpamjen financiare, duke miratuar një pagë shtesë për të gjithë punonjës e administratës që asistuan mbledhjet, edhe me orë të zgjatura. PS dhe PD në fund të mbledhjes, bashkuan votat që administrata dhe sekretarët të marrë një rrogë shpërblim, për shkak të orëve të zgjatura në punë.
“Duke ju falënderuar për punën, propozimi është për të marrë një vendim të ndërmjetëm edhe për sekretariatin teknik për të marrë një pagë shpërblim për shkak të orëve shtesë”, tha Salianji, propozim i cili u miratua nga të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor.
Salianji falenderoi të gjithë kolegët që ishin pjesë e këtij komisioni, duke thënë se ky komision bëri gjetje përtej parashikimeve.
“Duke ju njohur ne këtë komision hetimor, ju do të donit të ishit në anën e ligjit, por nuk ju kanë lënë. Do të bëheni pjesë e historisë së komisioneve hetimore për shkak se ky komision bëri gjetje që përtej parashikimeve që kishim në kërkesat fillestare”, u shpreh deputeti i PD.
Komisioni Hetimor për sistemin TIMS, i kërkuar nga opozita kishte si qëllim “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publikë të ngarkuar me administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave TIMS”. Ai u ngrit pas skandalit të denoncuar në radhët e policisë së shtetit dhe arrestimit të ish-drejtorit të IT-së Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë. /ZËRI