Politikë

Si do të shkarkohet Veliaj? Çfarë thotë ligji për qeverisjen vendore, dhe pse Ramës i duhet të hedhë firmën

Këshilli Bashkiak mund të propozojë shkarkimin e Veliajt, por vendimi përfundimtar mbetet në dorë të kreut të qeverisë

E.K
Si do të shkarkohet Veliaj? Çfarë thotë ligji për
edi rama dhe erion veliaj

TIRANË- Pas një reflektimi 7 mujor mbi fatin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama njoftoi dje në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste fundin politik të Erion Veliajt, duke i kërkuar këshillit bashkiak shkarkimin e tij. Sipas Ramës, qytetarët e Tiranës meritojnë që të kenë një kryetare të zgjedhur dhe jo të drejtohen nga një e komanduar siç ka ndodhur deri tani me Anuela Ristanin. Edhe pse nuk i përmendi në asnjë moment emrin në një fjalim që zgjati jopak, Rama u shpreh se vendimi për Veliajn nuk ishte i lehtë, por i detyrueshëm sa kohë që drejtësia mund të zgjasë procesin deri në dhënien e vendimt përfundimtar.

Por si do të bëhet shkarkimi i Veliajt dhe a mund të rezistojë kryebashkiaku i arrestuar?

Në nenin 62 të ligjit për qeverisjen vendore thuhet se shkarkimi i kryetarit të bashkisë mund të kryhet vetëm në 3 raste:

“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Ky i fundit më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në Klan Neës, është shprehur se Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të ishte mbledhur më herët për Veliajn, sa kohë që ky i fundit ka kaluar më shumë se 3 muaj pa u paraqitur në zyrë.

“Ligji për qeverisjen vendore e shpreh fare qartë dhe nuk lë hapësira për të interpretuar, kur në rastet e ndërprerjes së mandatit që parashikon ky ligj, rastin kur i zgjedhuri, pra kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë për një periudhë tre-mujore, në vazhdim. Nuk zihet me gojë fare arsyeja. Nëse ai nuk hap derën tre muaj rresht, menjëherë pas kësaj ky ligj i referohet Këshillit Bashkiak dhe i thotë mblidhu e merr vendim për të propozuar jo për të shkarkuar mandatin, por për të propozuar ndërprerjen e mandatit të atij që nuk është paraqitur. Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet të vendosë për këtë gjë, pastaj se çfarë do ndodh më tej, është e drejta e kryetarit të qeverisë. Është ai që duhet të vendosë se do ndërpresë mandatin e zotit Veliaj apo jo, e sipas rastit nëse ndërpret, të njoftojë Presidentin e Republikës për të bërë zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Kume. 

“Kjo rrugë nuk u ndoq. Unë nuk e kuptoj se përse nuk u ndoq kjo rrugë, pse mazhoranca nuk pranoi të ndiqte këtë rrugë. Ligji e thotë hapur fare. Nuk të thotë se nëse ti nuk vjen se je për këtë aryse, të presim, etj. Ligji thotë se nëse kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë tre muaj rresht, këhsilli bashkiak duhe të vendoset në lëvizje, për t’ia dërguar kryeministrit. Është kryeministri që e merr këtë vendim. Këshilli bashkiak nuk e kreu këtë detyrë. Kjo nuk është fare normale për mua. Nuk e kuptoj se çfarë arsye ka pasur e çfarë përfitimi politk ka pasur nga ky veprim”, tha ai.

Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti, ndërsa së fundi SPAK ka mbyllur hetimet ndaj tij dhe ka kaluar dosjen për gjykim. /ZËRI

Poll

MOS HUMB