
TIRANË- Është mbajtur këtë të hënë konferenca e kryetarëve, ku është miratuar axhenda e seancës plenare të datës 12 Shtator, pjesë e së cilës në rendin e ditës do të jetë dhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama, për mbetjet toksike.
Interpelanca është kërkuar nga ana e Partisë Demokratike, ndërkohë që në të njëjtën seancë do të kalojë për votim dhe mandati i deputetes Olta Xhaçka, nëse do të dërgohet apo jo në Gjykatën Kushtetuese.
Partia Demokratike ka paralajmëruar hetim parlamentar, për çështjen e mbetjeve toksike, që dyshohet se u nisën nga porti i Durrësit në drejtim të Tajlandës.
Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tha se afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen e autoriteteve shtetërore.
Sipas selisë blu edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore.
Ndërkohë, zv/kryeministrja Balluku deklaroi pak disa ditësh se Porti i Durrësit nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi për të kontrolluar nëse kompania që bënte transportin kishte gënjyer në vetëdeklarimin e përmbajtjes së mbetjeve që po eksportonte apo jo. Ky proces, ka thënë ajo, i takon një kompanie koncesionare private që operon në këtë port dhe vetë Autoriteti nuk ka asnjë përgjegjësi.
Ndërkohë që po në mbledhjen e sotme të kryetarëve, Gazment Bardhi përsëriti kërkesën e grupit të PD-së për ngritjen e një Komisioni Hetimor për fondet e IPARD, që janë pezulluar për fermerët shqiptarë. Po ashtu kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ka kërkuar nga maxhoranca që mandati i deputetes Olta Xhaçka të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, pa humbur kohë. /ZËRI