Politikë

SKANDALI mes kujtimeve?! Hoxha nga Maqedonia e Veriut tregon 'kalvarin' për të marrë dekoratë: I dhashë 300 mijë euro Metës

ZËRI iu sjell të plotë kapitujt për të cilat flet Rexhepi! 

k.m.
SKANDALI mes kujtimeve?! Hoxha nga Maqedonia e Veriut tregon
Ilir Meta dhe Sulejman Rexhepi

TIRANË- Sulejman Rexhepi, ish-kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut ka botuar në vitin 2020 një libër me kujtime dhe mendime personale, por ndoshta pa e kuptuar, sapo ka hedhur hijet e dyshimit mbi një skandal që duket se përfshin ish-presidentin e vendit, Ilir Meta. Në dy kapituj, më konkretisht në pikën 103 dhe 105, Rexhepi flet për një dëshirë për t'u dekoruar nga Shqipëria. Por rruga për dekorimin e tij duket se ka kushtuar shumë. Ai dëshmon se si Ilir Meta përmes Fahri Balliut i ka ofruar një dekoratë të lartë për 300 mijë euro. Në librin e tij, tregon se kontaktin e parë e ka pasur me gazetarin Ferdinand Samarxhiu, të cilit i kishte kërkuar takim me Ilir Metën me qëllimin e vetëm që të dekorohej. Samarxhiu, sipas tij, i foli për disa rrjete lobimi që do i jepnin dekoratë jo vetëm nga Meta, por madje edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.

"Në këtë bord të këtij fondacioni masonerik, më tha se është edhe Ilir Meta si dhe shumë ministra të tij, të partisë së tij! Sa kushton, e pyeta Samarxhiun. Po ja, më tha, Kyeministri ka paguar 180 mij dollarë. Për ty mund të kushtojë pak më shtrenjtë, sepse, asgjë nuk të lidhë me politikën amerikane, për dallim nga Ramushi! 250 mij euro vendosën që çmimin e Donald Trampit të ma sjellin në Shkup, madje të ma ndajë ndonjë përfaqësues amerikan!,"-tregon Rexhepi. Për të gjithë këtë "ndihmë", Samarxhiut i kishte dhënë 18 mijë euro.

"Një muhabet i Ferdinandit sikur ma zbehu dëshirën për këtë dekoratë. Ai më tha se, funksionon edhe një lobing i cili mund të ma sigurojë dekoratën presdenciale të Shqipërisë, për të cilën do të duhej të paguaja 300 mij euro. Natyrisht, jo për Ilir Metën por, ato para do të përdoreshin për të paguar, rrymë, ujë, telefona, nxemje, freskim të hapësirës së Presidencës. Kështu po funksiononte në tërë botën. Përfitimet nga lobingjet nuk po hykan në xhep të presidentit por po shkuakan në fond të mirëmbajtjes së presidencës! 300 mij euro? Sikur ta kem këtë dekoratë do të piknin përdhe të gjitha ato pseudonime policore “Zhiko”, “Zharko”, “Sheriat”…"

Më poshtë në libërthin e tij të kujtimeve, Rexhepi zbulon sesi Fahri Balliu e takon për një drekë me asokohe presidentin e vendit, Ilir Meta. Por në atë drekë, në një moment kur ishin vetëm Rexhepi tregon se Balliu e kishte këshilluar të mos takohej shumë me presidentin që të mos ngrinte dyshime.

"Fahri Balliu më tërhoqi në një kënd dhe më tha që, mos të rri e mos ta takoj shum Ilir Metën, sepse, edhe ashtu është shumë i dyshimtë. Mileti do të pyesi se, çfarë i lidhë Ilir Metën me Sulejman Rexhepin? Prej kur këta dy shokë? Edhe ashtu është nën llupën amerikane si njeri më i korruptuar në vend, prandaj, gjithçka që më duhet prej tij duhet të shkojë përmes Ferdinandit dhe meje, më tha Balliu. Më thanë që unë t’i bëja gati lekët se gjithçka do të shkojë si në tëlynë. Nëse e do nevoja Ilir Meta do të vie edhe në Shkup dhe në sy të shkijeve do të ma dorëzojë dekoratën presidenciale. Çmimi për blerjen e dekoratës tashmë ishte caktuar, fiks 300 mij euro, kurse ceremonia spektakolare që do të përgatitej me këtë rast do të kushtonte minimum edhe nja 120 mij euro!"

Ndër të tjera, zbulon se është takuar në Strugë me Balliun dhe Samarxhiun për t'u dorëzuar 80 mijë euro, ndërsa një javë më vonë do u dorëzonteedhe 70 mijë euro të tjera.

"Një javë më vonë do të takohemi në Pogradec, te qendra turistike “Drilon” dhe, aty do ta marrin ratën tjetër prej 70 mij euro. Aty do të caktohet dita kur do të më duhet ta jap tërë shumën kurse këta miq të mij do të ma tregojnë datën e saktë se kur do të organizohet ceremonia e ndarjes së dekoratës presidenciale enkas për mua, liderin historik të myslimanëve të Maqedonisë. Jo vetëm lider fetar, por edhe kombëtar, sepse, asnjë nga liderët, as nga politikanët, as nga veprimtarët e ndyshëm, nuk është dekoruar nga presidenti shqiptar. Ja, unë Sulejman Rexhepi, me plotë meritë – do të dekorohem nga i madhi dhe i ndershmi, ekselenca e tij, z. Ilir Meta.,"-shkruan ai në libër.

ZËRI iu sjell të plotë kapitujt për të cilat flet Rexhepi! 

103. Unë njeriu i Amerikës

Loja e shërbimeve intelegjente maqedonase më kishte lodhur në shpirt. Një jetë të tërë në bashkëpunim, në shërbim, në kundërshtim, në përndjekje dhe sërish në bashkëpunim më këtë shërbim! Dhe në fund, kapak i dhanë këta mangupë, “puçistët”! Po ndjeja se po më shterronin fuqitë, se pleqëria më kishte mbështetur për muri, se sëmundjet e ndryshme që më kanë kapur në këtë moshë po më bëjnë të dukem si një foshnje që mezi pret të thithë. Nuk po gjejë ndonjë faktore cicëmadhe ku mund të thithë e të më kthehen fuqitë. Këtë ndiesi të pakëndshme ia pata shprehur në një ditë ramazani, njëfarë gazetari nga Shqipëria që Maqedoninë e ka bërë teren përfitimi. Ferdinand Samarxhiu, kishte arrdhur për një emision për muajin e Ramazanit dhe, këtij ia shpreha këtë dhembje, duke kërkuar si i mjerë prej tij që të më caktojë një takim me presidentin shqiptar, z. Ilir Metën, meqë më tha se ishte bërë këshilltar i tij. Në bisedë e sipër, Ferdinandi më doli me një propozim shumë interesant. Më tha se funksionojnë disa kanale që mund të më sjellin dekoratë nga presidenti Amerikan, z. Donald Tramp, si dhe nga ai i Shqipërisë z. Ilir Meta. Lobimet janë shumë të shtrenjta, por që përfundojnë me dekorime! Të dy kanalet funksionojnë në Shqipëri! Qenka një organizatë masonerike, e themeluar prej hebrenjëve, të cilët janë të lidhur me zyren presideenciale amerikane e cila shpërndanë mirënjohje në emër të presidentit anekënd botës, për secilin individ që është në përputhshmëri me politikat amerikane, në fakt, me politikat masonerike të hebrenjve. More, i thashë, Ferdinand Samarxhiut, jam në gjendje të bëhem edhe rabin, vetëm të marr mirënjohje që ka nënshkrimin e presidentit amerikan! Po, tha, Ferdinandi, mos u mërzit, sepse këtë mirënjohje deri më sot nga shqiptarët e ka marryr ky e ky, ky dhe ky dhe, në fund, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj! Kur ma tha këtë, mu bënë sytë filxhan! Në këtë bord të këtij fondacioni masonerik, më tha se është edhe Ilir Meta si dhe shumë ministra të tij, të partisë së tij! Sa kushton, e pyeta Samarxhiun. Po ja, më tha, Kyeministri ka paguar 180 mij dollarë. Për ty mund të kushtojë pak më shtrenjtë, sepse, asgjë nuk të lidhë me politikën amerikane, për dallim nga Ramushi! 250 mij euro vendosën që çmimin e Donald Trampit të ma sjellin në Shkup, madje të ma ndajë ndonjë përfaqësues amerikan! Pasi u morëm vesh mirë e mirë, pas një javë sërish erdhi Samarxhiu te unë dhe, më tha se, për kaq para nuk ka llogari të vie amerikani nga Florida e të ma dorëzojë dekoratën, plus që, manifestimi duhet të shoqërohet edhe me ndarje të disa dekoratave të tjera, që mos të del puna se nuk ka njerëz të tjerë proamerikanë. Më tha që t’i gjejë edhe nja dy-tre persona të tjerë, të cilët do të paguajnë nga nja 20-30 mij euro për të marrë dekoratë në emër të Universitetit të Floridas ku punon i tërë stafi që merret me këto lobingje. Fola me Qani Nesimin dhe me Shaqir Fetahun, të cilët, mezi kishin pritur që të dekorohen.

Fol, thanë, sa duhet do të paguajmë, vetëm të dekorohemi bashkë me ty, do të jemi shumë të nderuar. Ju thashë që t’m’i sjellin nga 30 mij euro se do t’ua jap unë. Natyrisht, Samarxhiut ia dhashë nga 18 mij euro, të tjerat i futa në xhepin tim. I treti ishte Feriz Dervishi, njëfarë kinse bisnesmeni nga Kumanova. Por, një muhabet i Ferdinandit sikur ma zbehu dëshirën për këtë dekoratë. Ai më tha se, funksionon edhe një lobing i cili mund të ma sigurojë dekoratën presdenciale të Shqipërisë, për të cilën do të duhej të paguaja 300 mij euro. Natyrisht, jo për Ilir Metën por, ato para do të përdoreshin për të paguar, rrymë, ujë, telefona, nxemje, freskim të hapësirës së Presidencës. Kështu po funksiononte në tërë botën. Përfitimet nga lobingjet nuk po hykan në xhep të presidentit por po shkuakan në fond të mirëmbajtjes së presidencës! 300 mij euro? Sikur ta kem këtë dekoratë do të piknin përdhe të gjitha ato pseudonime policore “Zhiko”, “Zharko”, “Sheriat”…

105. Përmes Donalld Trampit te Ilir Meta

Në një ndeje të veçantë me botuesin e Gazetës 55, z. Fahri Balliun si dhe gazetarin që i thotë vetes “mjeshtër i madh”, pas drekimi të
përbashkët me Ilir Metën, Fahri Balliu më tërhoqi në një kënd dhe më tha që, mos të rri e mos ta takoj shum Ilir Metën, sepse, edhe ashtu është shumë i dyshimtë. Mileti do të pyesi se, çfarë i lidhë Ilir Metën me Sulejman Rexhepin? Prej kur këta dy shokë? Edhe ashtu
është nën llupën amerikane si njeri më i korruptuar në vend, prandaj, gjithçka që më duhet prej tij duhet të shkojë përmes Ferdinandit
dhe meje, më tha Balliu. Më thanë që unë t’i bëja gati lekët se gjithçka do të shkojë si në tëlynë. Nëse e do nevoja Ilir Meta do të vie edhe në Shkup dhe në sy të shkijeve do të ma dorëzojë dekoratën presidenciale. Çmimi për blerjen e dekoratës tashmë ishte caktuar, fiks 300 mij euro, kurse ceremonia spektakolare që do të përgatitej me këtë rast do të kushtonte minimum edhe nja 120 mij euro! Nga pala shqiptare nuk do të kishte kurrfarë problemi, sepse tashmë e kishte hapur portën e madhe z. Donald Trampi. Ilir Meta do ta kishte shumë të lehtë për ta justifikuar ndarjen e dekoratës, madje duke u motivuar nga dekorimi me dekoratën nga ana e presidentit amerikan. Kur më dekoron presidenti amerikan, pse të hezitojë presidenti shqiptar! Fundja, mua më duhej kjo dekoratë, le të kushtojë sa të kushtojë. Myslimanët ma kanë hak këtë dekoatë, i kam udhëhequr, ua kam zhvilluar jetën fetare islame, i kam shkolluar, i kam ngritur kulturalisht e fetarisht, i kam prezantuar denjësisht brenda e jashtë! Tani, le të ma paguajnë këtë dekoratë! E shoh që djemëve të mij nuk i bëhet shum qejfi, sepse më me ëndje do t’i zhvasnin ato 3-400 mij euyro se sa të shkonin në xhepin e Ilirit dhe të sekserëve të tij. Megjithatë, më duhet mua, kam frikë se po më del shpirti me nofkën “Zharko” të pafshirë. Kjo dekoratë do t’i eliminojë të gjitha pseudonimet policore të cilat po ma nxijnë jetën. Atyre ju dola hakut, ja, me paratë që u grumbulluan për t’u ndihmuar shqiptarët e Hasanbegut dhe rrethinës që u përmbytën nga vërshima tragjike, Sulës së vogël ia bleva Golf 7-shin, direkt nga salloni, 37 mij euro. Po kaq ia dhashë edhe nipit tjetër, djalit të Zuhejrit i cili, e shoh unë, gjithnjë e më shumë po më hidhërohet se po e favorizoj nipin tjetër, djalin e Zeglulit, Sulën e vogël. Nuk më bëjnë punët! E kam sjellë veten që dashurinë e bijve të mi ta blejë me para! Apo unë nuk po lë pas kurrfarë pjelle, djem që e duan babain e tyre vetëm për para! Edhe njëra edhe tjetra! Javën e ardhshme, në Strugë do të takohem me Fahri Balliun dhe Ferdinan Samarxhiun, për t’ua dorëzuar ratën e parë prej 80 mij euro. Një javë më vonë do të takohemi në Pogradec, te qendra turistike “Drilon” dhe, aty do ta marrin ratën tjetër prej 70 mij euro. Aty do të caktohet dita kur do të më duhet ta jap tërë shumën kurse këta miq të mij do të ma tregojnë datën e saktë se kur do të organizohet ceremonia e ndarjes së dekoratës presidenciale enkas për mua, liderin historik të myslimanëve të Maqedonisë. Jo vetëm lider fetar, por edhe kombëtar, sepse, asnjë nga liderët, as nga politikanët, as nga veprimtarët e ndyshëm, nuk është dekoruar nga presidenti shqiptar. Ja, unë Sulejman Rexhepi, me plotë meritë – do të dekorohem nga i madhi dhe i ndershmi, ekselenca e tij, z. Ilir Meta.

Por a ka ndodhur vërtetë dekorimi?

PO! Më datë 25 janar 22018, Ilir Meta në Presidencë pret Rexhepin. Në media, asokohe shkruhej se presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”.

Si është bërë dekorimi? A është paguar vërtetë 300 mijë euro për të marrë këtë dekoratë? Sulejman Rexhepi thotë që "po", por deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga të përmendurit e tjerë në libër që të paktën të mohojnë pretendimet e hoxhës. Por nëse është e vërtetë, ngre dyshime për të gjithë dekorimet e tjera duke zbuluar një skandal korrupsioni që mesa duket ka 'pushtuar' Presidencën përgjatë 5 viteve që Meta ka vepruar si kryetar i shtetit. Tani mbetet në dorën e organeve të drejtësisë, të vendosin nëse këtë çështje do ta hetojnë. Në fund të fundit, kanë një dëshmitar që të gjithë e ka shkruar e zeza në të bardhë./ZËRI

Poll

MOS HUMB