
TIRANË- 5 deputetë të opozitës janë bashkuar për të dalë kundër listave të mbyllura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dashamir Shehi, Enkelejd Aliebaj, Flutura Açka, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari kanë dalë së bashku në një deklaratë për mediat për të listuar pikat që kërkojnë të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, duke qenë se janë vetëm 5, kanë kërkuar edhe mbështetjen e kolegëve të tyre në parlament.
“Ne jemi 5 veta, por si ne mendojnë edhe 15 të tjerë aty. Ne mendojmë ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës për shumë gjëra. Si do të hyjmë në zgjedhje do ta shikojmë rrugës. Do tentojmë të hyjmë me listë të hapur, ky është principi bazë që na bashkon. A do jenë 2, 3 apo 5 parti, do ta shohim. Sot po deklarojmë publikisht se mendojmë ndryshe nga zotërinjtë e tjerë. Me kolegët e tjerë opozitarë na bashkojnë dy gjëra: lufta kundër kësaj qeverie të korruptuar dhe lufta kundër autokracisë së Edi Ramës. Na ndajnë 3 gjëra të rëndësishme. Na ndan përqasja që kemi për demokracinë, dhe kjo u tregua me marrëveshjen për mbylljen e listave; na ndan raporti që kemi ndaj sistemit të ri të drejtësisë, që edhe ne nuk e quajmë perfekt, por gjithsesi sot për sot është një lloj shprese, për të pastruar një pjesë të ambientit publik; na ndan dhe raporti që kemi me ndërkombëtarët. Na bashkojnë vetëm dy gjëra, që nëse i interpretojmë seriozisht mund të bashkohemi prapë,"-tha kreu i Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dash Shehi.
Ndërsa Açka sqaroi: Nuk jemi grupim politik. Është një grupim deputetësh opozitarë që duan të rrisin sensibilizimin me atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.
Pyetjes sesi do të prezantohen në zgjedhje të reja, iu përgjigj Enkelejd Alibeaj, i cili gjithashtu kërkoi që kolegët në Kuvend t'u bashkohen nismës së tyre.
"Mund të prezantohemi si bashkim partish. Thirrja jonë nuk është vetëm për kolegët, por i thërrasim dhe partive të tjera jo parlamentare, flukseve të tjera jo të formalizuara dhe elitës shqiptare të prezantohet në formën e një bashkësie politike, do të aplikojmë sistemin me lista të hapura,"- tha Alibeaj.
Kështu, të pestë kanë bërë një hap duke kërkuar bashkëpunim, por a do ta marrin? Alibeaj duket se nuk ka bindur dot as bashkëpunëtorin e tij të vjetër, Lulzim Basha, i cili në parim "lufton" gjithashtu për lista të hapura, por nën siglën e 'Demokratëve Euroatlantikë'./ZËRI