
TIRANË- Deputetët e Partisë Socialiste janë tërhequr këtë të mërkurë nga propozimet e bëra në draftin e propozuar prej tyre për ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, kreu i këtij komisioni Arben Pëllumbi u shpreh se tashmë pas disa seancave deputetët janë të bindur se propozimet e tyre kanë nevojë për një rishikim.
Pëllumbi u shpreh se ai vetë ishte kundër ndarjes së tëerritorit sa i përket dhënies së të drejtës për administrimin e 20% të zonave të mbrojtura nga bashkitë, por shtoi se duhet që ato bashki që kanë në territorin e tyre zona të mbrojtura të marrin përfitime financiare prej tyre.
“Edhe ne vetë jemi të bindur tashmë që ka nevojë për një rishikim. Unë nuk jam dakort me 20% në këtë formë, me ndarje territori, unë jam që bashkitë të marrin një të ardhme nga zonat e mbrojtura por jo në formën e territorit. Unë besoj që dy etnitete që kontrollojnë të njëtën gjë i prishin punë njëri-tjetrit”, tha Pëllumbi.
Në të njëjtën linjë ishte dhe socialisti Fadil Nasiufi, një nga firmëtarët për ndryshimet e ligjit aktual. Ndërkohë të pranishëm në seancë drejtues të shoqateve për mbrojtjen e mjedisit u shprehën se ligji ka mangësi sa i përket funksionimit ndërsa vunë theksin në faktin se bashkitë nuk kanë kapacitetrt humane dhe financiare për menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Diskutimet:
Genti Kromidha: Shqetësim tjetër është dhe neni 9 i propozimit, i cili kërkon heqjen e nenit 13 ekzistues, lidhur me përcaktimin e konceptimit të zonimit. Ne vlerësojmë se zonimi është koncepti më i rëndësishëm për riuajtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Pa zonimin parimisht do të ishte e pamundur të kryhej ndërhyrje pasi do të konsiderohej e paprekshme ndërsa me zonimin kemi mundësi të lejojmë zhvillime të caktuara brenda zonës. Heqja e këtij koncepti prek menaxhimin e zonave të mbrojtura. Shqetësim tjetër është neni 6 që parashikon ndryshime në nenin 8 që u lejon bashkive të marrin 20% të zonave të mbrojtura në menaxhim. Shumica e bashkive nuk i kanë kapacitetet njerëzore dhe financiare për menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Ermelinda Mahmutaj: Ligji duhet të jetë më i qartë. Pr.ligji i propozuar anashkalon plotësisht të drejtat që ka bashkia për menaxhimin në zonat e mbrojtura me ligin aktual. Nuk është bërë një analizë se pse bashkia nuk po gëzon nga këto të drejta dhe ku qëndrojnë ngërçet. Është e paqartë, për shkak të këtyre paqartësive nuk duhet të nxitojmë.
Fadil Nasufi: Ka një keqkuptim publik të inicuar me fillimin e diskutimit të këtij projektligji. Unë bie dakort me një gjë që ligji ka hapur një debat dhe drafti ka defekte në kuptimin e teknikës legjislative dhe kërkon ekspertizë dhe unë jam i hapur bashkë me komision që të bëjmë të gjitha reflektimet e duhura.
Arben Pëllumbi: Në fakt ne si Komision jemi duke ezauruar të gjitha mundësitë që na jep rregullorja. Edhe në këtë seancë dëgjimore thuajse të gjitha shqetësimet konvergjojnë në disa pika që ne i kemi përsëritur. Edhe ne vetë jemi të bindur tashmë që ka nevojë për një rishikim. Unë nuk jam dakort me 20% në këtë formë, me ndarje territori, unë jam që bashkitë të marrin një të ardhme nga zonat e mbrojtura por jo në formën e territorit. Unë besoj që dy etnitete që kontrollojnë të njëtën gjë i prishin punë njëri-tjetrit.
Propozimet mbajnë firmën e 12 socialistëve, mes të cilëve, Fadil Nasufi, Florenc Spaho, Edona Bilali dhe Eduart Ndreca. Në bazë të ndryshimeve të kërkuara më herët, lejohet ndërtimi i invenstimeve strategjike brenda zonave të mbrojtura kur respektohen kriteret për mbrojtjen e tyre. Lejet për ndërtime të tilla i jep Këshilli Kombëtar i Territorit. Deputetët socialistë kërkuan më shumë mbikqyerje nga institucionet shtetëore në këto raste në mënyrë që të mos lejohet betonizimi i këtyre zonave./ZËRI