Politikë

PD kërkoi sqarime, përgjigjet Instat: Ja kur i publikojmë të dhënat e Censit

Ishte deputeti Salianji, ai që me anë të një shkrese zyrtare i ka kërkuar sqarime INSTAT për të gjithë procesin, që nga mbledhja e informacioneve, kostoja, deri tek ndërhyrja e të dhënave.

k.m.
PD kërkoi sqarime, përgjigjet Instat: Ja kur i publikojmë të
Ervin Salianji

TIRANË- Instituti i Statistikave i ka kthyer përgjigje deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, lidhur me vonesën e publikimit të të dhënave që u mblodhën nga Censi. Ishte deputeti Salianji, ai që me anë të një shkrese zyrtare i ka kërkuar sqarime INSTAT për të gjithë procesin, që nga mbledhja e informacioneve, kostoja, deri tek ndërhyrja e të dhënave. Gazetari Osman Stafa ka siguruar përgjigjen e INSTAT, duke zbuluar se Censi ka kushtuar 16.9 mln euro dhe se të dhënat do të zbulohen për të gjithë në muajin qershor. 

"Kosto totale e parashikuar e Censit të Popullsistë dhe Banaesave ka qenë 16.9 mln euro. Aktualisht INSTAT është në fazën e kodifikimit të klasifikimeve dhe pastrimit të dublikatave deri në publikimin e rezultateve kryesore në muajin qershor 2024,"-bën me dije zyrtarisht institucioni. 

LETRA E INSTAT:

Kur do publikohen të dhënat e Censit, të realizuar gjatë 2023?

- Rezultatet kryesore të Censit 2023 do të publikohen në muajin qershor 2024, sikurse janë parashikuar në planin e publikimeve të Censit, si dhe paraqitur në planin vjetor 2024 të INSTAT në Kuvend. Në faqen zyrtare të INSTat gjendet informacioni kronoligjik mbi publikimin e rezultateve.

Cili ka qenë afati i parashikuar për publikimin e këtyre të dhënave?

- Siç kemi sqaruar edhe më sipër, afati për publikimin e të dhënave ka qenë qershor 2024 për rezultatet kryesore dhe në vijim për të dhënat e tjera në nivel të detajuar.

Cilat janë arsyet e vonesës së publikimit të këtyre të dhënave?

-Nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e të dhënave të Censit. Ju bëjmë me dije se publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit.

A rrezikon vonesa në publikimin e këtyre të dhënave ndërhyrje të paautorizuara me qëllim manipulim apo shtrembërimin e tyre?

-Siç e sqaruam më lart, nuk ka vonesa në publikimin e të dhënave. Ato janë sipas planit të parashikuar dhe të publikuar prej kohësh në faqen zyrtare të Instat, kësisoj nuk ka vend për asnjë dyshim të tillë.

Sa ka qenë kostoja totale për realizimin e Censit dhe a ka krijuar kosto shtesë vonesa në publikimin e të dhënave?

-Kosto totale e parashikuar e Censit të Popullsistë dhe Banaesave ka qenë 16.9 mln euro. Duhet të theksojmë që aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nuk përfundon me mbylljen e grumbullimit të të dhënave në terren apo me anketën e post-Censit. Aktualisht INSTAT është në fazën e kodifikimit të klasifikimeve dhe pastrimit të dublikatave deri në publikimin e rezultateve kryesore në muajin qershor 2024.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 nisi punën më 18 shtator dhe ishte parashikuar të zgjaste 6 javë, por që u shty deri më 15 nëntor pasi koha e caktuar fillmisht ishte e pamjaftueshme. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit./ZËRI

Poll

MOS HUMB