
TIRANË- Në orën 10:00 të paradites së sotme, Kuvendi zhvillon seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës ka ratifikimin e një sërë marrëveshjesh, por edhe një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi e cila është kërkuar nga deputeti socialist Nasip Naço.
Por sesa seanca do të mund të realizohet normalisht kjo mbetet për t’u parë, pasi opozita ka radikalizuar qëndrimin e saj në javët e fundit, duke tentuar bllokimin e jetës parlamentare. Edhe gjatë ditës së sotme tensionet pritet të jenë të pranishme, për shkak se 6 deputetë të opozitës që janë përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi pritet që të jenë në seancë, pasi nuk e njohin vendimin e marrë ndaj tyre.
Gjatë ditës së djeshme një sërë tensionesh u shënuan në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku deputetët e opozitës tentuar që të bllokonin mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Pas shtyrjes me rreth 3 orë ishte garda ajo që nuk lejoi deputetët e opozitës të hynin në sallën e mbledhjeve, ku raportonte ministri i Financave Ervin Mete. Demokratët thonë se janë gati për çdo skenar, përfshirë edhe grevën e urisë apo ngujimin në sallën e Kuvendit, ndërkohë që deputetëve socialist iu është kërkuar nga Rama që të respektojnë rregulloren e Kuvendit, dhe të mos bien pre e provokimeve.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke bllokuar jo vetëm seancat në Kuvend, por edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave.
Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj. Tashmë qëndrimi i njëjtë i opozitës është shtrirë në të gjitha Komisionet Parlamentare. Sipas tyre kjo bëhet për të rikthyer në vend parlamentarizmin, pasi mazhoranca ka rrëzuar disa kërkesa të tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare./Zëri.ai