Diskutimi për buxhetin, socialistët "festojnë" me...bakllava

TIRANË- Deputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë si duket kanë zgjedhur që para diskutimeve për projekt-buxhetin e vitit 2024, të ëmbëlsohen me një bakllava. Pasi grupi i deputetëve të Partisë Demokratike shkaktuan kaos në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët socialistë u ulën në një kafene pranë Kuvendit për të pritur nisjen e mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë online.
Para iu ka ardhur edhe një tepsi e vogël me bakllava, ku deputetja Blerina Gjylameti ka treguar se bakllavaja është me rastin e fillimit të diskutimeve të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale.
"Ne po bëhemi gati që të miratojmë sa më parë buxhetin dhe paketën fiskale. Duke uruar qe të gjithë kolegët e opozitës të reflektojnë,"-thotë Gjylameti.
Braçe ndërkohë dëgjohet duke thënë se nuk i interson opozita, por ligji për TVSH dhe transferimin e mbi 200 milionë euro dhe rritje pagash.
View this post on Instagram
"Ne, gati për mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë; buxheti i shtetit për vitin 2024, paketa fiskale për vitin 2024! Rrogat, pensionet, taksat-përfshi TVSH, për mëshqerrat shtatzëna e jo vetëm, bletët dhe insektet e mira, për produkte biologjike, për supermarketet e gjithë Evropës. Vo: Bakllavaja e bërë me grurin e ri, miellin prej tij, bërë në Myzeqe,” – shkruan Braçe krahas videos së publikuar.
Pas tensioneve në mbledhjen e Konferncës së Kryetarëve, grupi i deputetëve të Partisë Demokratike kanë bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë ku po diskutohej lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024 dhe Paketa Fiskale. Në mbledhje ishte edhe ministri i Ekonomisë Ervin Mete, i cili prezantoi projektbuxhetin 2024. Deputetët e opozitës janë përplasur me punonjësit e Gardës, pasi këta të fundit nuk i lejuan të futen në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Me ndërhyrjen e fundit të opozitës, deputetët e Partisë Socialiste kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për të vijuar online mbledhjen.
Kom. i Ekonomisë mblidhet online! Mete prezanton 'Buxhetin 2024'

TIRANË- Që prej kohës së pandemisë së koronavirusit, nuk ka ndodhur një mbledhje online. Por sot për shkak të trazirave që shkaktoi opozita, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave u mblodh në "Zoom". Ministri i Ekonomisë Ervin Mete po prezanton projektbuxhetin e vitit 2024. Mbledhja u shty fillimisht dhe më pas u lajmërua se do të zhvillohet online. Kjo pas bllokimit që deputetët e Partisë Demokratike bllokuan këtë të mërkurë punimet.
Eduard Shalsi: Si rezultat i një skene jo parimore por dhe të shëmtuar që disa deputetë të opozitës bënë sot. Vendimi është ky, nuk kemi ndërmend të merremi me hallet e një individi, ne kemi një përgjegjësi të madhe para atyre që na kanë votuar.
Ervin Mete: P.buxheti synon një rritje ekonomike të qëndrueshme. Ky buxhet për herë të parë tejkalon 7 miliardë euro shpenzime të planifikuara dhe parashikon uljen e borxhit publik. Ekonomia jonë shfaqet si një nga ekonomitë më të qëndrueshme të rajonit. Parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8 %. Sa i përket inflacionit ai ka qëndruar në nivele të ulëta, 4.1%, i përgjysmuar nga një vit më parë. P.buxheti vijon mbështetjen për një rritje domëthënëse pagash. Parashikon rritjen e pagave për mjekët, forcat e rendit… Kjo kap vlerën e 39 miliardë lekëve. Ambicia e qeverisë e shprehur në P.buxhet është që këtë qëndrueshmeri të ekonomisë ta përkthejmë në mirëqenie për qytetarët dhe ndër pagat më të larta në rajon. Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një paketë fiskale. Në këtë aspekt do të punohet së bashku me FMN. Një ndër masat kufizuese që është konsideruar e nevojshme është vendosja e kufirit të sipërm sa i përket indeksimit të akcizës. Stimulimi i sektorit bujqësor dhe blegtoral. Shpenzimet buxhetore parashikojnë rritjen e pagave për administratën publike. Niveli i fondit rezervë parashikohet në masën 2.5 miliardë lekë. Defiçiti buxhetor parashikohet në 2.5 % të PBB. Pritet që të kemi një zbritje të borxhit nën nivelin 60% që ndodh për herë të parë pas vitit 2011.
Fillimisht projektbuxheti duhet të diskutohej në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në Komisionin e Ekonomisë.
Pas këtij vendimi nga maxhoranca, ka reaguar dhe Partia Demokratike. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat selia blu shprehet se këto mbledhje mund të bëhen online vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.
"Pas bllokimit që deputetët e opozitës i kanë bërë punimeve të Kuvendit sot, deputetët e PS kanë njoftuar shtyrjen e mbledhjes dhe zhvillimin e saj online. Sipas nenit a/5 të Rregullores së Kuvendit vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore, mbledhjet e seancës plenare dhe organeve të Kuvendit mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Nuk dihet nëse PS ka shpallur gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme, por kjo procedurë e mbledhjeve online lejohet vetëm në ato raste", shkruan PD.
Çfarë ndodhi sot?
Ashtu siç dhe kishin lajmëruar më parë deputetët e Partisë Demokratike bllokuan këtë të mërkurë punimet normale të Kuvendit ku pritej të diskutohej projektbuxheti i vitit 2023.
Fillimisht u bllokua mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku do të raportonte ministri Ervin Mete. Demokratët, në shenjë revolte për përjashtimin e kolegëve të tyre nuk lejuan vijueshmërinë normale të punimeve. Si rrallë herë në Kryesinë e Kuvendit ishte dhe kryedemokrati Sali Berisha.
Pas kësaj, me në krye Gazment Bardhin si kryetar grupi deputetët e PD i "zunë pritë" Lindita Nikollës duke mos lejuar nisjen e punë së Konferencës së Kryetarëve. Pas tensioneve dhe përplasjave, mbledhjet u anuluan ndërsa opozita paralajmëroi se as seanca e nesërme plenare nuk do jetë e qetë, duke lënë të kuptohej se do të ketë dhe për skenarë të rinj përpos bllokimit të foltores./Zëri.ai
Komisioni i Ekonomisë do mbahet online, PD: Jemi gjë në luftë?

TIRANË- Pas tensioneve të krijuara, ditën e sotme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Kuvendi njoftoi se kjo e fundit do të shtyhet dhe të zhvillohet online. Pas këtij vendimi grupi parlamentar i PD, ka deklaruar se këto mbledhje mund të bëhen online vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.
Reagimi i plotë:
Pas bllokimit që deputetët e opozitës i kanë bërë punimeve të Kuvendit sot, deputetët e PS kanë njoftuar shtyrjen e mbledhjes dhe zhvillimin e saj online. Sipas nenit a/5 të Rregullores së Kuvendit vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore, mbledhjet e seancës plenare dhe organeve të Kuvendit mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Nuk dihet nëse PS ka shpallur gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme, por kjo procedurë e mbledhjeve online lejohet vetëm në ato raste.
Pas tensioneve në mbledhjen e Konferncës së Kryetarëve, grupi i deputetëve të Partisë Demokratike kanë bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë ku po diskutohej lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024 dhe Paketa Fiskale. Në mbledhje ishte edhe ministri i Ekonomisë Ervin Mete, i cili prezantoi projektbuxhetin 2024. Deputetët e opozitës janë përplasur me punonjësit e Gardës, pasi këta të fundit nuk i lejuan të futen në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Me ndërhyrjen e fundit të opozitës, deputetët e Partisë Socialiste kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për të vijuar online mbledhjen.
Ikin deputetët e PS, Noka: Shkoni te Luli, ka byrek!

TIRANË- Deputetët e opozitës kanë bllokuar edhe mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ku po diskutohej Paketa Fiskale dhe projektbuxhetin për vitin 2024. Duke qenë se nuk kishin kushtet e duhura për të zhvilluar mbledhjen, deputetët e maxhorancës janë larguar nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për ta zhvilluar mbledhjen online.
Ndërkohë që largoheshin në grup, nga pas Flamur Noka bënte ironi me ta duke përmendur edhe ish-kreun e partisë që bën pjesë, Lulzim Bashën.
"Ja keni dhënë që ia keni dhënë zyrat Lulit (Lulzim Basha), shkoni tek Luli. Më dëgjoni mua shkoni tek Luli, shkoni se ai ju pret! Aleat e keni 'po', shkoni atje. Ke të drejtë. Atje shkoni. Ka edhe byrek ai mo, shkoni atje,"-dëgjohet teksa thotë deputeti Noka.
Noka i referohet videos së fundit që hodhi "Zëri.ai", tek e cila dukej Basha teksa blinte byrekë./Zëri.ai
Opozita nesër në Kuvend, ka një plan, Berisha s'i tregon detajet: I shihni nesër

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar tensione nesër në seancën e radhës parlamentare. Gjatë një prononcimi para kryesisë së Kuvendit, Berisha akuzoi Edi Ramën se e ka kthyer parlamentin në një bunker. Ndërsa shtoi se ka një plan për nesër, por nuk ka pranuar që të japë detaje të tjera për mediat. I pyetur lidhur me kallëzimin që ka bërë Partia Socialiste për deputetin Bledion Nallbati, i cili në seancën e 30 tetorit goditi me grusht deputetin socialist Vullnet Sina, Berisha nuk i kurseu as akuzat ndaj SPAK.
"Sot është një nga ditët më të shëmtuara në historinë e parlamentarizimit. Sot ndërtesa e parlamentit u shndërrua në një repart policor Garde, pëllëmbë e gardistë, natyrisht të urdhëruar, se ata nuk kanë një dëshirë, por kurrë ndonjëherë kjo ndërtesë, përveç kohës së Enver Hoxhës, nuk ka qenë e pushtuar nga çizmet e policisë dhe gardës. Një akt i turpshëm, një akt i shëmtuar. Deputetët e opozitës, kryetarja e ashtuquajtur krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrën më të hollësishme, sepse mbylli derën në një kohë kur 5-6 prej tyre ishin në ashensor dhe në ashensor në kat të 4, që në çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë, me urdhër të saj. Ky është turp i madh. Ky tregon se parlamenti ka humbur çdo të drejtë funksionuari në këtë mënyrë. Tregon se Edi Rama e ka shndërruar në një bunker, njëlloj sikur në këtë ndërtesë qeverisnin etërit e tij barbarë, Enver Hoxha dhe Spirokoleka. Nga ana tjetër, shënohet një tjetër rekord i zi në historinë e parlamentit, një dhunim flagrant i kushtetutës me buxhetin. A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinitet për miratimin e buxhetit. Në vend të një seance të hapur në vend të një konsulte të gjerë me grupet e interesit për të gjithë zërat e buxhetit, ata e mbyllën debatin dhe kaluan në një klub që si quhet, shkuan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake. Prapë në kundërshtim me kushtetutën kanë vendosur që pa punonjësit e Ministrisë së Financave të punojnë online, punë e cila online do të thotë në dy raste, luftë ose epidemi. Asnjë nga rastet nuk plotësohet, por këta nuk kanë as ligj e as moral, nuk njohin asgjë. Pra, shënon kjo ditë rekordet më të zeza në historinë e parlamentarizmi. Opozita është në këmbë, opozita është në këmbë,"-tha Berisha./Zëri.ai
Opozita bllokon edhe Komisionin e Ekonomisë, largohen deputetët e PS

TIRANË- Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë. Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike kanë bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë ku po diskutohej lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024 dhe Paketa Fiskale. I pranishëm në mbledhje ishte edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete. Me ndërhyrjen e fundit të opozitës, deputetët e Partisë Socialiste kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Tashmë, nga ana e Kuvendit, është njoftuar se mbledhja do të zhvillohet online, në orën 16.00./Zëri.ai
PD i kundërpërgjigjet PS, çon në SPAK deputetin Vullnet Sinaj

TIRANË- Partia Demokratike iu kundërpërgjigj kallëzimit penal ndaj deputetit Bledion Nallbati me një tjetër kallëzim penal ndaj deputetit Vullnet Sinaj. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK për “goditje për shkak të detyrës” deputetin socialist, ndërkohë që edhe sot e njëjta akuzë është ngritur edhe nga Sinaj.
"Qysh prej fillimit të sesionit të ri parlamentar, grupi parlamentar i Partisë Demokratike është përballur me cënime të rënda të të drejtave kushtetuese dhe atyre ligjore dhe më konkretisht, për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar, caktimin e përfaqësuesëve në Komisionet e ngritura për reformën zgjedhore, si dhe me mohimin e të drejtës kushtetuese që ka pakica parlamentare për ngritjen e Komisioneve hetimore parlamentare,"-shkruhet në dokumentin e dorëzuar në SPAK.
Lidhur me këtë lajm, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thekson se ditët në vijim do të paraqesin të tjera kallëzime penale për deputetë të PS-së. Por nuk përmendi emra.
Pyetje: A do bëni kallëzim në SPAK, ashtu sikurse PS-ja dërgoi Bledjon Nallbatin?
Gazment Bardhi: Në fakt, ne e kemi çuar në SPAK. Ajo që sot ka dalë si lajm është përgjigje e kallëzimit tonë dje ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shpërdorim detyre” dhe në ditët në vijim të jeni të sigurtë se do të ketë kallëzime të tjera për deputetë të tjerë të Partisë Socialiste.
Në seancën plenare të të hënës, opozita bllokoi Foltoren, kështu që deputetët e maxhorancës e morën fjalën nga vendi. Të vendosur për t'i ndalur, deputetët e Partisë Demokratike shkonin dhe iu hiqnin kartat nga mikrofoni, e teksa Nallbati shkoi tek Sinaj, ky i fundit e shtyu. Kaq mjaftoi për të nisur një përplasje fizike mes tyre, ndërsa Nallbati e ka qëlluar me grushta.
Si pasojë e sjelljes së tij gjatë seancës parlamentare, Nallbati është përjashtuar 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa lidhur me ngjarjen, ka zgjedhur që të mos e komentojë gjatë. Ndërsa vetë Sinaj tha se e kishte falur kolegun, por shtoi se nëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ndërmerrte ndonjë vendim tjetër (si në rastin e kallëzimit në SPAK), ai do t'i mbështeste./Zëri.ai
Vullnet Sinaj: Nallbati më goditi, por unë e prita me dorë

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ka theksuar edhe njëherë se e ka falur kolegun demokrat, Bledion Nallbati, por shtoi se do të respektonte çdo vendim të grupit parlamentar. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Sinaj tha se ishte i habitur nga sulmi që pësoi nga kolegu i tij, duke sqaruar se e gjitha ndodhi për shkak se tentoi që t'i merrte kartën që vendoset në mikrofonat e deputetëve në sallë.
"Është një incident i sajuar nga Sali Berisha për ti shpërtuar drejtësisë shqiptare. Unë e kam falur zotin Nallbati. Personalisht, jo. Por që do jem pjesë e grupit, do jem. Nuk kam komunikuar me Nallbatit, jashtë seancës i thashë se pse e bëri atë veprim sepse me të kisha marrëdhënie normale si me çdo deputet tjetër. Përshëndeteshim kur shiheshim në rrugë. Nuk e kuptova nga se e kishte. Nëse SPAK më thërret do të shkoj. Nuk kam frikë nga drejtësia. Aty janë videot e se u kam pritur me dorë grushtin. Ai ka goditur por unë e kam pritur me dorë. Ndodhi ai incident që ndodhi. Mund të ndodhte dhe me një koleg tjetër,"-tha Sinaj.
Në seancën plenare të të hënës, opozita bllokoi Foltoren, kështu që deputetët e maxhorancës e morën fjalën nga vendi. Të vendosur për t'i ndalur, deputetët e Partisë Demokratike shkonin dhe iu hiqnin kartat nga mikrofoni, e teksa Nallbati shkoi tek Sinaj, ky i fundit e shtyu. Kaq mjaftoi për të nisur një përplasje fizike mes tyre, ndërsa Nallbati e ka qëlluar me grushta.
Si pasojë e sjelljes së tij gjatë seancës parlamentare, Nallbati është përjashtuar 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa lidhur me ngjarjen, ka zgjedhur që të mos e komentojë gjatë. Ndërsa vetë Sinaj tha se e kishte falur kolegun, por shtoi se nëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ndërmerrte ndonjë vendim tjetër (si në rastin e kallëzimit në SPAK), ai do t'i mbështeste./Zëri.ai
Tensionet, Bardhi: S'ka më normalitet, kam informuar edhe ambasadorët!

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka paralajmëruar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të ketë më normalitet për sa kohë nuk pranohen kërkesat e opozitës. Gjatë fjalës së tij në një prononcim për gazetarët, një herë kërkesat e opozitës ndaj mazhorancës. Më pas ai ka thënë se ajo që po ndodh në Kuvend është vetëm fillimi. Ndërsa shtoi se për gjithçka që po ndodh, ka informuar edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Shqipëri. Por nuk ka dhënë më tepër detaje se çfarë ka komunikuar me ta, e se çfarë mesazhi i kanë përcjellë.
KOMUNIKIMI PËR MEDIAT:
Dua të përsëris edhe një herë kërkesat minimale. Së pari të respektohet e drejta kushtetuese e deputetëve të opozitës për llogaridhënien e qeverisë. Së dyti, ka të bëjë me përmbushjen e një detyrimi nga disa raporte të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Opozita e ka shpallur prioritet. Ne kemi bërë propozime konkrete për anëtarët e komisionit dhe mazhoranca duhet të respektojë vendimin tonë. Së treti, ka të bëjë me një tallje të vazhdueshme që kryetarja e Parlamentit me urdhër të Edi Ramës bën me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Është kthyer në një manekin në shërbim të Edi Ramës. Kanë sjellë sot 100 forca të Gardës së Republikës, mund të sjellin 300 herën tjetër. Nëse ky është Parlamenti i një vendi anëtar të NATO-s që mbushet me punonjës të Gardës.
Për atë çfarë po ndodh kam informuar edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Shqipëri. Me një pjesë prej tyre kam pasur edhe kontakt gjatë këtyre ditëve. Do të zhvillojmë edhe një mbledhje se çfarë do të bëjmë nesër. Nuk po kërkojmë që t'i zëmë karriget kolegëve të maxhorancës, po kërkojmë të drejtat tona. Ka ardhur momenti që maxhoranca të reflektojë, të mos vazhdojë akte që tregojnë arrogancën e tyre. E sigurtë është që as seanca e nesërme nuk ka për të funksionuar për sa kohë nuk funksionon opozita e vendit. Ne nuk kemi ardhur në kuvend me votat e krimit të organizuar.
Sa i përket përplasjes fizike në kuvend ne e kemi denoncuar në SPAK Vullnet Sinën për goditje për shkak të detyrës dhe ditët e tjera do të ketë denoncime të tjera.
“Vila jote është Kuvendi?”, Bardhi i kërkon llogari Nikollës

TIRANË- Debatet mes opozitës dhe mazhorancës kanë vijuar në Kuvend edhe pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku një pjesë e deputetëve të PD-së nuk u lejuan që të merrnin pjesë. Pas mbledhjes ka pasur një debat mes Lindita Nikollës dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. Ky i fundit e akuzoi Nikollën se po e përdor Kuvendin si vilën e saj personale.
“Pse nuk lejon deputetët? Parlament privat është ky? Po e trajton Kuvendin si vilën tëndë që e ke blerë me paratë e korrupsionit”, i drejtohet Gazment Bardhi kryetares së Parlamentit, pa pasur mundësi t’i afrohet shumë për shkak të ndërhyrjes punonjësve të Gardës së Republikës.
Gjatë gjithë ditës së sotme, deputetët e opozitës kanë qenë protagonistë të episodeve të ngjashme, për shkak se nuk janë lejuar të marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisionin e Ekonomisë.
Edhe më parë ata u futën me dhunë në zyrën e Nikollës, për t’i kërkuar llogari për vendimmarrjen e Kuvendit. Të martën, 6 deputetë u përjashtuan pasi u konsideruan përgjegjës për skenat e dhunës në seancën e të hënës në Kuvend, ku mes shumë debatesh, deputeti Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht socialistin Vullnet Sinaj.
/Zëri.ai
Garda bllokon deputetët e opozitës të hyjnë në Konferencën e Kryetarëve, ‘zaptojnë’ zyrën e Nikollës

TIRANË- Garda e Republikës ka ndërhyrë për të ndaluar deputetët e opozitës që të pengonin mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja e parashikuar që të mbahej paraditen e sotme, ishte shtyrë për në mesditë, pikërisht për shkak të pengimit që i bënë deputetët e opozitës. Megjithatë me ndërhyrjen e gardës, deputetët e opozitës u penguin që të hynin në sallën e mbledhjes, ku gjatë ditës së sotme do të raportojë projektbuxhetin e vitit 2024 ministri i financave Ervin Mete.
Rreth 30 gardistë kanë vendosur një pengesë me trup, për të penguar deputetët opozitarë të bëheshin pjesë e mbledhjes. Të pamundur për të kaluar këtë pengesë, deputetët opozitarë, mes të cilëve mund të shquheshin Gazment Bardhi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, por edhe të tjerë, kanë hyrë me dhunë në zyrën e kryetares Lindita Nikolla, ndonëse truproja e saj tentoi t’i ndalonte.
“Si qenka private zyra e kryetares së Kuvendit, ccfarë është këtu?”, dëgjohet që të thonë deputetët e opozitës.
Deputetët kërkuan llogari nga Nikolla për këtë masë ekstreme, teksa gjatë gjithë kohës debatet u zhvilluan me tone të larta. Vetë Nikolla në nisje të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve dënoi aktet e dhunës që sipas saj opozita ka ndërmarrë vazhdimisht ndaj organeve të Kuvendit.
“U detyruam që ta shtynim këtë mbledhje, për shkak të dhunës së opozitës, ne jemi mbledhur sot sipas të gjithë rendit të ditës, do të bëjmë shqyrtimin e draft kalendarit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm”, tha Nikolla në nisje të mbledhjes.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, u lejuan që të merrnin pjesë vetëm deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Zheni Gjergji. Sapo Gjekmarkaj mori fjalën në mbledhje, Kuvendi ndërpreu sinjalin live në rrjetet sociale.
“Deputetët janë jashtë, i keni mbyllur në ashensor brenda! Nuk lejohet të futet në mbledhje Gazment Bardhi, të cilin e keni ftuar! Buxheti është një turp që e diskutoni pa opozitën prezent. Po mohet e drejta e fjalës! Turp!”, deklaroi Gjergji në mbledhje.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke bllokuar jo vetëm seancat në Kuvend, por edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave. Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj. Tashmë qëndrimi i njëjtë i opozitës është shtrirë në të gjitha Komisionet Parlamentare. Sipas tyre kjo bëhet për të rikthyer në vend parlamentarizmin, pasi mazhoranca ka rrëzuar disa kërkesa të tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare./Zëri.ai
Çfarë fiton opozita nga bllokimi i Kuvendit? Berisha shpalos ‘planin B’: Boll duruam!

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, ku deputetët e opozitës vijojnë bllokimin e komisioneve dhe jetës parlamentare. Sipas Berishës deputetët e opozitës në rast se nuk kanë fuqi që të propozojnë dhe të miratojnë ligje, apo të kenë akses në kontrollin e qeverisë, e kanë të kotë prezencën e tyre në Kuvend. Berisha akuzoi kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, që sipas tij shkel rregulloren dhe kushtetutën për t’i shërbyer Edi Ramës. Berisha tha se në planin e opozitës në rast se mazhoranca nuk reflekton për kërkesat e tyre, mund të jetë dhe ngujimi në Kuvend.
"Në mënyrën më të përsëritur kam lajmëruar zonjën se po shktaërron parlamentin, duke shkelmuar rregulloren dhe kushtetutën në mënyrë të përditshme. Pas një durimi të stërzgjatur të deputetëve të opozitës erdhi një moment kur qenia e tyre në parlament ishte absolutisht fiktive, kur 600 mijë votues kishin zero përfaqësim në Kuvend. Deputetëve të opozitës iu mohohet e drejta për të bërë ligje.
Janë 31 nisma ligjore të deputetëve të opozitës që janë rrëzuar me shumicë votash nga kjo mazhorancë. Ligji për minimumin jetik për shembull ishte një iniciativë plotësisht e domosdoshme, heqja e parashkrimit për kryeministrin. Edi Rama nuk i lejon që të dërgohen as në sallën e Kuvendit dhe as në Komisione, a ka gjë më absurd që të privosh deputetët nga e drejta ligjbërëse.
Këtë të drejtë në Kushtetutë e ka Kryeministri i vendit, deputetët dhe 20 mijë qytetarë. Linda e Parlamentit ia heq këtë të drejtë deputetëve. Opozita ka dorëzuar firmat, për 8 Komisione Parlamentare, janë mohuar që të teta. Atëherë pse janë deputetët e opozitës në Parlament, a nuk janë për të kontrolluar qeverinë dhe aktivitetet e saj?", deklaroi Berisha.
Lideri i demokratëve pati dhe një irritim me gazetarët, në momentin kur ata e pyetën se çfarë fiton opozita nga bllokimi i jetës parlamentare, ndërkohë që nuk e përjashtoi mundësinë që deputetët e oppozitës të ngujohen në sallën e Kuvendit.
Çfarë fitoni nga bllokimi i komisioneve parlamentare?
Berisha: Ne nuk mund të rrimë në parlament si rrogëtarë, sot grupi bllokoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, në mënyrë që të dëgjohen kërkesat tona. Këto po i bën Edi Rama, të zbatojë Kushtetutën dhe rregulloren, dhe në këto kushte ne nuk po e braktisim Kuvendin. Ne po e respektojmë institucionin e Kuvendit.
A ka një plan B, PD?
Berisha: Një gjë ju siguroj ju dhe shqiptarëve, çdo opsion përfshirë dhe ngujimi është i mundshëm. Ne nga parlamenti nuk largohemi.
PS kallëzon në SPAK Nallbatin
Berisha: Asgjë tjetër më shumë sesa ia dërgoi një organizate tjetër kriminale, që vepron nën këmbët e Edi Ramës, me lidhje me bandar dhe me krimin. Ta dijë Edi Rama që ne nuk dorëzohemi, deputetët do të jenë aty ku i thërret detyra dhe ku e kanë vendin.
Gjatë paradites së sotme, opozita bllokoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që do të mbahej në Kryesinë e Kuvendit, e cila është shtyrë për në orën 13:00. Deputetët e opozitës kanë pranuar se do të jenë sërish aty në atë orar, dukshëm për të bllokuar sërish mbajtjen e kësaj mbledhje, ku sot do të raportonte Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete. /Zëri.ai
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kallëzon në SPAK, Bledion Nallbatin

TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kallëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, deputetin e Partisë Demokratike, Bledion Nallbati. Në kallëzimin e depozituar sot në SPAK, PS akuzon Nallbatin se ka goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre, deputetin e qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj.
"Provohet qartë se 4 elementët përbërës të veprës penale "goditje për shkak të detyrës" janë plotësuar në mënyrë kumulative, për këto arsye sa përshkruam më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale ndaj Z.Bledjon Nallbati për shkak të konsumimit të veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal,"-shkruan në kallëzimin e depozituar, kreu i grupit parlamentar, Bledi Çuçi.
Shkresat e publikuara në rrjetin e tij social, Çuçi i ka shoqëruar edhe me një mesazh, duke theksuar se maxhoranca nuk do ta tolerojë dhunën, ndërsa fton organet ligjzbatuese që të ushtrojnë detyrën e tyre dhe të nisin hetimet lidhur me veprimet e Nallbatit.
"Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina. Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin. Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t'i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament,"-shkruan ai.
Në seancën plenare të të hënës, opozita bllokoi Foltoren, kështu që deputetët e maxhorancës e morën fjalën nga vendi. Të vendosur për t'i ndalur, deputetët e Partisë Demokratike shkonin dhe iu hiqnin kartat nga mikrofoni, e teksa Nallbati shkoi tek Sinaj, ky i fundit e shtyu. Kaq mjaftoi për të nisur një përplasje fizike mes tyre, ndërsa Nallbati e ka qëlluar me grushta.
-
Nallbati grushton deputetin Sinaj
30 Tetor, 17:09
Si pasojë e sjelljes së tij gjatë seancës parlamentare, Nallbati është përjashtuar 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa lidhur me ngjarjen, ka zgjedhur që të mos e komentojë gjatë. Ndërsa vetë Sinaj tha se e kishte falur kolegun, por shtoi se nëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ndërmerrte ndonjë vendim tjetër (si në rastin e kallëzimit në SPAK), ai do t'i mbështeste.
"Zëri.ai" ka kontaktuar me të dy deputetët por ende nuk ka asnjë koment nga të dyja palët, ndërkohë që trazirat me opozitën vazhdojnë ende në Kuvend. Edhe sot, deputetët e përjashtuar janë futur forcërisht në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve./Zëri.ai
Përplasje mes Bardhit dhe Nikollës, shtyhet Konferenca e Kryetarëve

TIRANË- Deputetët e opozitës kanë vazhduar aksionin e tyre për të bllokuar jetën parlamentare në vend, ndërkohë që sot tensionet janë zhvendosur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Shkak për këtë është bërë prania e Gazment Bardhit në mbledhjen e Kryesisë së Kryetarëve, që sipas socialistëve nuk duhet të jetë për shkak se është përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi. Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, të cilës i është drejtuar me fjalët: Çfarë kam bërë unë që më ke përjashtuar?!
Tensione ka pasur dhe mes kreut të grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, dhe deputetes së Partisë Demokratike Dhurata Çupi.
“Më keni përjashtuar pra, turp të keni ju që silleni korridoreve”, iu drejtua Dhurata Çupi, Bledi Çuçit, ndërkohë që deputetët e opozitës ishin bërë barrigadë në hyrje të sallës së mbledhjeve.
Deputetët e PS-së kanë vendosur që ta shtyjnë për në orën 13:00 mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, por duket se do të përballen me bllokimin e vazhdueshëm të deputetëve të PD-së. Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve do të ishte i pranishëm edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, i cili do të bënte të ditur dhe projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për zhvillimin e Konferencës së Kryetarëve, në të cilën do të bëhet prezantimi i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, ju njoftojmë se mbledhja do të zhvillohet në orën 13:00”, njofton Kuvendi.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi për mediat se deputetët e opozitës nuk do të shndërrohen në rrogëtarë në sallën e parlamentit. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së vazhdojnë që të qëndrojnë në korridoret e Kryesisë së Kuvendit, në pritje të orës 13:00 kur do të rifillojë dhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke bllokuar jo vetëm seancat në Kuvend, por edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave. Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj. Tashmë qëndrimi i njëjtë i opozitës është shtrirë në të gjitha Komisionet Parlamentare. Sipas tyre kjo bëhet për të rikthyer në vend parlamentarizmin, pasi mazhoranca ka rrëzuar disa kërkesa të tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare./Zëri.ai