
TIRANË- Sot, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ishte përballë kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që raportohet se ka nisur hetimin për të. Sipas "TEMA", SPAK ka nisur hetim pasuror për Flamur Nokën dhe familjen e tij lidhur me një transaksion financiar të bërë në emër të tij, bashkëshortes Eva Ndoka dhe dy fëmijëve të tyre.
"Hetimi shtrihet në gjithë sistemin bankar të Shqipërisë dhe në gjithë zyrat noteriale të vendit, për të parë dhe verifikuar shitjet, blerje pronash apo akt marrëveshje të tjera të tij apo familjarëve me të tretë,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Sipas të njëjtit burim, në vitin 2008, kur Flamur Noka ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave, i dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllezerve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait edhe pse ishte shtetase belge, dhe motrës që jeton në Kamëz. Po ashtu, po hetohet edhe një apartament që Noka ka në zonën e digës së Liqenit.
"Formalisht Noka shet një apartament 83 m2, kati 8, me vlerë 180 mijë euro dhe “blen” një apartament, në një zonë më të shtrenjtë, te diga e Liqenit, 190 m2, për 151 mijë euro. Flamur Noka blen garazh me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 22 400 euro."
Gjithashtu objekt hetimi mendohet se është edhe vila që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e akuzoi publikisht në Kuvend. Sipas Bardhit, Noka ishte pronar i një vile të padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lalzit. Akuzë që më pas nuk u përmend më nga Bardhi, por mesa duket SPAK ka mbajtur shënime.
Megjithatë deri më tani, lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SPAK, e as Noka nuk ka shkuar për t'u marrë në pyetje./ZËRI