
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjatur me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili është vënë në pranga që në muajin tetor të vitit 2024. Seanca u mbajt sot, por vendimi u konfirmua dhe nga vetë avokati i Metës, Kujtim Cakrani, i cili e konsideroi të paligjshëm. Ai u shpreh se Meta po mbahet në qeli në mënyrë të paligjshme pasi kanë skaduar të gjitha afatet dhe se vendimin e sotëm do ta ankimojnë.
“Dua të theksoj diçka që ta kuptoni, kjo vepër penale për të cilën është akuzuar zoti President është regjistruar në dhjetor të vitit 2019, një javë pas kreu i SPAK Alitn Dumani nisi nga puna dhe që nga ajo kohë kanë kaluar afërsisht gjashtë vite. Në gjashtë vite SPAK nuk ka mbledhur akoma prova për të inkriminuar Presidentin e Republikës. Në mënyrë absurde presidenti qëndron në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza, sot prisnim të përfundonin hetimet, afati skadon nesër, më datë 10. Ne nuk jemi kundër hetimit, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet në paraburgim? Ju e dini pse mbahet, çështja është politike, edhe për çështje politike, mbahesh në paraburgim. Dhe mënyra se si u arrestua ishte politike, ju e patë shumë mirë. Edhe Putini i ka arrestuar njerëzit në mënyrë qytetare, Meta është rrëmbyer sepse hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Atë e heton Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të kishte ndërgjegjie, moral dhe po të donte ta zbardhte, do të ndërhynte tek ata policë që rrëmbyen Presidentin në mëmyrë barbare dhe kriminale. Është e pamoralshme dhe joligjore që ti ta mbash ende në paraburgim. Por sot po flasim për një çështje me të cilin Presidenti po përballet prej 7 muajsh, SPAK ka tejkaluar afatet e mbledhjes së provave. Ai ka mbi 7 muaj në paraburgim, prokuroria ka detyrim ligjor që çdo dy muaj të bënte referimin për hetimet. E dini ju që nuk e ka bërë? Nuk e ka bërë. Ne këto të gjitha do t’i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese. Është shumë i thatë vendimi, ja ku e keni, thotë ne po presim provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se çfarë lidhje ka Presidenti me ish-vjehrrën. Ne nuk jemi kundër hetimit, të hetojë gjithë ditën SPAK. Pyetja është pse e mbajnë në paraburgim? Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim. Javën që vjen do të paraqesim në Gjykatën Kushtetuese kërkesën përsa i përket masës së sigurimit. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk reflekton, ne do të vijojmë betejën në Gjykatën Evropianë të të Drejtave ë Njeriut. Këto janë mjetet ligjore që ne mund të përdorim,”- tha Cakrani ndër të tjera.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Meta akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Ndërsa më 27 maj, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. SPAK i ka komunikuar Kryemadhit dhe Metës 3 akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Vetë Meta e ka quajtur një farsë hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve. Në një postim në Facebook, Meta sqaroi rolin e tij dhe të ish-bashkëpunëtorëve në dosjen në fjalë. Meta thotë se përsa i përket 369 mijë dollarëve të paguara nga një entitet i panjohur, gjë që del dhe në dosje, Prokuroria e Posaçme duhet të pyesë ish-bashkëpunëtorët e tij, më konkretisht, Endrit Brahimllarin që ka firmosur kontratën e lobingut dhe që ishte personi përgjegjës për ta ndjekur atë, si dhe kushëriri i tij i parë, Eriol Brahillari, i cili sipas tij, ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail, por që pas largimit nga detyra si drejtor kabineti, nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë. Për Brahimllarin, Meta tha gjithashtu se pasi hyri tek SPAK-u si përfaqësues i PL doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë. Meta shton se i ka kërkuar SPAK prej dy vitesh të kërkojë nga partnerët amerikanë të hetojnë kush i ka bërë këto pagesa në SHBA dhe të merret në përgjegjësi ligjore, pasi ai vetë pretendon se nuk ka autorizuar askënd dhe me emër përmend Adrian Shatkun, i cili ka qenë prezantuesi i këtyre kompanive me LSI dhe ka mbajtur lidhjet me to. Këtu Presidenti i Partisë së Lirisë ngriti pikëpyetje për faktin që Shatku, një shqiptaro-amerikan, çuditërisht nuk është pyetur nga SPAK pasi ka 3 vjet që nuk ka ardhur në Shqipëri. Ai kërkoi gjithashtu që përgjegjësia ligjore, si e tij ashtu edhe e Monika Kryemadhit, të trajtohet veçmas, duke qenë se tani janë të ndarë edhe zyrtarisht./ZËRI