
TIRANË- Debatet dhe përplaset kanë dominuar edhe sot Konferencën e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit. Përplasja nisi pasi maxhoranca kërkoi që të mos ketë seancë parlamentare më 12 qershor, duke rënë ndesh me atë që u vendos në mbledhjen e datës 29 Maj. Shkak është bërë mungesa e kryeparlamentares, e cila do të jetë në Ukrainë. Pas propozimit të bërë nga socialistët, kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pati diskutim me kryetaren e Parlamentit, Elisa Spiropalin.
“Ti rruga e mbarë për atje ku do te jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, tani shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. S’ka asnjë arsye te shtyhet seancën nga data 12 për në datën 16, sepse kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit,”-tha Bardhi në fjalën e tij.
Përveç Bardhit, edhe Jorida Tabaku lëshoi kritika të forta ndaj kryeparlamentares.
“Do doja të ngrija një shqetësim për një deklaratë tënden të para disa ditëve për çështjet e integrimit. Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon intergimi. Më vjen keq të them, por që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit por edhe në Komisionin e Posaçëm, e më pas në procesin elektoral. Nuk i keni kryer detyrat. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në gjitha raportet dhe detyrat, që kërkohen për procesin e integrimit. E ky kriter u shkel në zgjedhjet e fundit,”-u shpreh ajo.
Konferenca shqyrtoi projektprogramin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 qershor-8 korrik 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 qershor-8 korrik 2025. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare. Si përfundim, kërkesa e maxhorancës u pranua dhe të enjtën nuk do të ketë seancë. Takimi i deputetëve do të shtyhet për të hënën, më datë 16 qershor./ZËRI