Politikë

Spiropali: Edi Rama nuk i la kusur ambasadorit rus, por turistët nuk erdhën vetëm prej kryeministrit të jashtëzakonshëm

Gjatë fjalës së saj në Kongres, Spiropali foli gjithashtu dhe për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin dhe Gërdecin

E.K
Spiropali: Edi Rama nuk i la kusur ambasadorit rus, por turistët nuk
Elisa Spiropali

TIRANË- Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka qenë ajo që ka hapur Kongresin e Partisë Socialiste, ku është shprehur me superlativa për punën e qeverisë që drejtohet nga Edi Rama. Në fjalën e saj Spiropali foli për turistët që vizituan vendin tonë këtë vitl, ku tha se “nuk erdhën vetëm për shkak të një kryeministri të jashtëzakonshëm si Edi Rama, i cili nuk i la kusur ambasadorit rus në Këshillit të Sigurimit, por kanë ardhur të ndjellë nga një vend me diell”.

“10 milion turistë në një vit në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm të nxitur nga një kryeministër i jashtëzakonshëm si Edi Rama, që si lë kusur ambasadorit rus në mes të mbledhjes në Këshillin e Sigurimit.

Ata kanë ardhur të ndjellë nga një vend me diell, dritë, shpresë dhe optimizëm, një vend dinamik, i sigurtë për të jetuar dhe me bukën e kripën më të lirë në Evropë”, tha ndër të tjera Spiropali në fjalën e saj në Kongres.

Gjatë fjalës së saj në Kongres, Spiropali foli gjithashtu dhe për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin dhe Gërdecin

“Atë vendim që në gjuhë politike PS e ka dhënë për më shumë se një dekadë, struktura shtetërore të pahetuara, gjykim i paplotë i përfaqësuesve të shtetit të përfshirë në krim. Presim që ky vendim të përkthehet nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Tek ky vendim që vjen nga zemra e Europës shihni arsyen pse çeta e tkurrur opozitar s’bën gjë tjetër veçse thyen karrige”, vijoi Spiropali fjalën e saj, ku nuk kurseu as akuzat për opozitën.

“Nuk na pengon të shihemi sy ndër sy tymi i flakadanëve, por janë zgjedhjet e ndryshme. Ne ndërtojmë dhe duke shuar zjarret e tyre. Jemi bashkarisht në një sallë parlamenti por jemi vite dritë larg, janë të paaftë që të ndryshojnë e të shndërrohen në alternativë. E kurdisin sahatin e tyre me akrepat e ’97-ës. Teksa ato ndezin zjarr në sallën e Kuvendit ne ndezim dritat në qytetet e Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë. Ata kanë humbur shpresën vetjake. Sfida jonë është një terësi betejash të përditshme që nuk kanë asnjë alternativë tjetër veçse të fitojmë në mënyrë të njëpasnjëshme.”

Poll

MOS HUMB