
TIRANË- Këtë të dielë të 26 Majit, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin e dytë me shqiptarët e diasporës, këtë herë në Milano të Italisë.
Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri tregon përgatitjet e fundit në pallatin e sportit, ku do të zhvillohet takimi. Sipas Ramës, ambienti ku do të zhvillohet takimi do të ketë më shumë ulëse se stadiumi i zgjedhur në Greqi, dhe askush nuk do të mbetet pa gjetur vend.
Rama: MIRËMËNGJES, dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë.
Edhe në këtë takim, Rama do të shoqërohet nga këngëtarë, si Alban Skënderaj dhe Noizy.
Ndryshe nga Athina, është menduar dhe pjesa e fjalimeve, në arenën sportive Maria Piantanida, pjesëmarrësve do të ju drejtohet vetëm kryeministri Rama dhe nuk do të ketë eksponentë të tjerë socialistë që do të përshëndesin shqiptarët e pranishëm.
Takimet e radhës do të jenë me shqiptarët e Londrës dhe Duseldorfit, ky i fundit do të mbyllë dhe turin “Krenar për Shqipërinë”.
/ZËRI