
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se aksioni i sotëm në Kuvendin e Shqipërisë ishte greva që kishte paralajmëruar opozita. Në fjalën e tij, i pyetur nga gazetari i "Zëri.ai", Edon Kuqi, Berisha tha se opozitarët janë të vendosur për një sakrificë sublime. Por nuk dha detaje se cili ishte aksioni që kishin planifikuar.
"Ne e kemi të drejtë qëllimin, do të sakrifikojmë së pari vetë ne. Janë shkelur të drejtat e atyre që na përfaqësojnë. Kjo sakrificë do ta shihni...pa rikthimin e të drejtave tona kushtetuese, pa të drejtën e opozitës për të emëruar përfaqësuesit e vetë, pa të drejtën e opozitës pa reformën zgjedhore. Basha zbaton porositë e Ramës,"-tha Berisha.
PJESË NGA PRONONCIMI PËR SHTYP:
Berisha: Kjo ishte grevë. Ne shpallëm një grevë të përkohshme aq sa do vazhdonte turpi i parlamentit. Dhe ata nuk respektojnë grevën. Unë ua thashë edhe deputetëve socialistë, ne nuk kemi punë me ta, ne kemi punë me Edi Ramën. Ne kemi punë me Taulant Ballën. Taulant Balla është një kriminel më i poshtër se Bajrat, më i poshtë se Çelët. Se ai ka marrë postin e ministrit të Brendshëm, kurse ata rrinë në bodrumet e tyre. Si mundet që ky njeri të largojë nga policia 64 IMSI Catcher, në një kohë kur vetë ka pasur tre? A nuk është ky abuzim i tmerrshëm me pushtetin? Ne nuk heqim dorë, ky është vetëm fillimi. Po ne të drejtat tona kushtetuese, së pari të drejtën e krijimit të komisionit hetimor parlamentar; së dyti, të drejtën e procedurës parlamentare për nismat tona ligjvënëse. Ne nuk themi se nisma jonë ligjvënëse do shndërrohet në ligj, por ajo duhet të kalojë të gjithë procedurën parlamentare dhe të mos mbetet në sirtaret e Lindës së parlamentit. Kjo nuk ndodh kund në botë. Ne kërkojmë që përfaqësuesit tanë, në komisione dhe kudo, t’i caktojë grupi parlamentar dhe jo Edi Rama. Besoj se këto janë kërkesat më legjitime, pa të cilat ne nuk kemi asnjë lloj autorizimi nga zgjedhësit tanë që të vazhdojmë si marioneta në aktivitetin tonë parlamentar. Ju i pati si i miratoi ligjet? Ai quhet miratim?! Ai është turpi i mazhorancës. Mazhoranca tregoi fytyrën e vet që nuk ndalet përpara asnjë turpi. Të shohin qytetarët se çfarë po ndodh? Se çfarë parlamenti kanë. Ne kërkojmë parlament normal. Ne kërkojmë që qytetarët të gjykojnë mbi opinionet për ligjet, për ligjet që sjell opozita, të gjykojnë kundërshtimet ndaj tyre, të gjykojnë për rezolutat. e dini se ka dy vite që rezoluta që dënon gjenocidin ciklik serb në Kosovë dhe në Shqipëri? Ftoj çdo shqiptar të lexojë botimet e viteve 1913 për gjenocidin e Lumës. Në të gjithë traktatet e gjenocideve, Luma rezulton një nga gjenocidet e para të regjistruara. Edi Rama jo vetëm që nuk pranon të kalojë rezolutën, përkundrazi prishi një përmendore ndaj mijëra viktimave, ndër të cilat qindra fëmijë u dogjën të gjallë. Janë të gjitha të përshkruara nga historianët e huaj të kohës.
Çfarë do të bëni nëse maxhoranca ju përjashton të gjithëve?
Berisha: Kësaj pyetje do i përgjigjet populli opozitar. Ne e kemi të drejtë qëllimin, do të sakrifikojmë së pari vetë ne. Janë shkelur të drejtat e atyre që na përfaqësojnë. Kjo sakrificë do ta shihni...pa rikthimin e të drejtave tona kushtetuese, pa të drejtën e opozitës për të emëruar përfaqësuesit e vetë, pa të drejtën e opozitës pa reformën zgjedhore. Basha zbaton porositë e Ramës.
A do ketë grevë urie?
Berisha: Ajo çështje është në diskutim, e kemi theksuar se jemi të vendosur në sakrificë sublime.
Në seancën e sotme në Kuvend ka pasur tensione të forta mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet fizike, por edhe tymueset që u lëshuan në sallë nga deputeti Ervin Salianji. Deputetët e PD iu morën karriget deputetëve socialist, një pjesë e mirë e të cilëve qëndruan në këmbë gjatë seancës së shkurtër. Pavarësisht kësaj, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla ka kaluar në votim një sërë ligjesh dhe nismash, që janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Seanca u mbyll pas 30 minutash, ndërkohë që opozita paralajmëron përshkallëzimin e aksionit të saj, por pa specifikuar mënyrën se si kjo do të realizohet./Zëri.ai