
TIRANË- Tre deputetë të opozitës, me sa duket e kanë thyer bojkotin opozitar, të punimeve të Komisioneve parlamentare në kuadër të “mosbindjes civile”, të nisur që prej tetorit të vitit të shkuar. Bëhet fjalë për dy deputetët demokratë, Ferdinand Xhaferri dhe Bujar Çela, si dhe deputeten e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi. Tre deputetët morën pjesë këtë të martë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku po diskutohej amnistia, e propozuar nga Ministria e Drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Sigurisë, zëvendësministri i Drejtësisë Klajsi Karameta u shpreh se nga amnistia e paraqitur nga ministria e Drejtësisë përfitojnë shtresat vulnerabël, mes të cilëve dhe 10 gra dhe 10 fëmijë.
Klajdi Karameta: Këto dy kategori përfitojnë sepse janë kategori vulnerabël. Kemi 10 gra që përfitojnë nga amnistia dhe 10 fëmijë. Veprat kundër jetës së personit janë përjashtuar sepse karakterizohen nga një rrezikshmëri e lartë shoqërore. Është kriter ndalues.
Ndërsa Kryetari i Komisonit Nasip Naço, u shpreh se Prokuroritë dhe Gjykatat duhet të japin më shumë dënime alternative.
Nasip Naço: Dhënia e aministisë ka karakter humanitar ka dhe karakter politik. Nuk ka të bëjë me uljen e popullimit sepse policia po arreston përditë dhe nëse ne lirojmë pëditë japim mesazh të gabuar. Amnistia duhet për t’i dhënë mesazh institucioneve të drejtësisë për veprat që duhet të amnistojë. Ta orientojmë prokurorinë dhe gjykatën të japin dënimë alternative në disa raste./ZËRI