
TIRANË- Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar sot shqetësimi i përhapur gjerësisht në javët e fundit, ai i konsumimit të tullumbaceve me azot. Ishin deputetët e opozitës ata që ngritën këtë shqetësim Në Komisionin, ku çështje e ditës ishte lejimi i shitjes së produkteve me bazë kanabisin mjekësor.
Droga e re, e cila po reklamohet në masë në rrjete sociale, ka shqetësuar deputetët, të cilët lanë pas debatet për çështjet e ditës që ndajnë palët politike, dhe folën mbi iniciativat ligjore që mund të ndërmerren për ti dhënë fund fenomenit.
Pjesë nga debatet:
Dhurata Çupi: Çfarë po bën sot Ministria e Shëndetësisë për tullumbacet me azot? Këto janë shqetësime që prekin sot familjet.
Entela Ramosaçaj, zëvendësministre e Shëndetësisë: Protoksidi i Azotit si bar mjekësor klasifikohet si substancë analgjetike që heq dhimbjen dhe jep efektin e narkozës dhe si i tillë është i lejuar vetëm të përdoret në spital. Bombolat që qarkullojnë me protokosid nuk janë të njëjta që përdoren në spitale. Pra, janë jo për përdorim mjekësor.
Shpjegimi mjekësor i efekteve të kësaj droge shqetësoi edhe më shumë deputetët. Përballë mungesës së bazës ligjore që do të mundësonte ndërhyrjen e policisë, deputetët shprehën gatishmërinë edhe për nisma konkrete ligjore.
Dogjani: Këta kriminelë që e nxjerrin këtë lëndë dhe i japim fëmijëve nëpër shkolla apo lokale po i vënë në narkozë këta fëmijë.
Xhixho: Policia shkon i sekuestron nëpër lokale dhe nuk ka bazë ligjore. Kjo është një situatë e cila është shumë e rënduar, shumë shqetësuese.
Bushka: Kuptohet krimi ecëm më shpejt se sa ecën e mira, se sa ecën shteti. Ne duhet të kuptojmë nga ju, jeni duke bërë diçka apo duhet të ndërmarrim ne një nisëm ligjore?
Në fund, Komisioni i Ligjeve vendosi miratimin e nismës ligjore për lejimin e tregtimit të produkteve me bazë kanabisin mjekësor, ndërsa për çështjen e tullumbaceve me azot, u ra dakord që të merret më shumë informacion rreth situatës.
-
Tullumbacet me drogë, kush i shpiku dhe si po kthehen në 'trend'
23 Shtator, 12:02
“Zëri.ai” ka intervistuar adoleshentët në shkollat e kryeqytetit dhe shumë prej tyre e njihnin këtë produkt, duke u shprehur se tullumbacja me drogë shitet hapur në lokale, pranë ambjenteve shkollore.
Çfarë është 'Tullumbacja'?
Kjo lloj droge është një substancë e gaztë. Dukjen e ka si një fishek, por pasi hidhet në tullumbace thithet njëlloj si heliumi që ndryshon zërin. Bëhet fjalë për oksidin e azotit, për të cilin në është dhënë alarmi për pasojat që sjellë në shëndet dhe disa shtete po mendojnë masa konkrete për ta konsideruar të paligjshme. /Zëri.ai/