
TIRANË- Një incident ka ndodhur ditën e sotme gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, i cili u mbajt përsëri online. Incidenti kësaj here ndodhi nga pjesëmarrësit në Zoom dhe jo nga deputetët e opozitës.
Deputeti Jurgis Çyrbja, i cili ishte në cilësinë e relatorit të pr/ligjit për ratifimin e marrëveshjes me Gjermaninë e kapi e qeshura dhe nuk mundi të prezantonte fare pr/ligjin. Në pamjet e siguruara më poshtë, shihet teksa Çyrbja ndodhet në zyrë nga ku bëri lidhjen online, por një person tjetër duket se e bën të qeshë. E qeshura e tij ka infektuar të gjithë deputetët që kishin hyrë në Zoom. Çyrbja nuk arriti të ndalonte të qeshurën dhe kryetarja e komisionit Klotilda Bushka i kërkon të dalë dhe të rilidhet prapë.
PJESË NGA MOMENTI:
Çyrbja: E nderuar kryetare, të nderuar kolegë deputetë, sot na është paraqitur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për ujërat. Qëllimi* nis e qesh dhe heq kamerën.
*Vazhdon e qesh programi i performancës...
Bushka: Zoti Çyrbja dilni dhe rilidhuni prapë!
Denis Deliu ishte ai, i cili vijoi leximin e relacionit për Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020 për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë (infrastruktura komunale, faza V, pjesa II)”.
Këtë pamje ndoshta nuk do ta presë mirë kryeministri Edi Rama, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u kërkoi më shumë angazhim në Kuvend dhe në mbledhjet e Komisioneve që zhvillohen. Por mesa duket, jo të gjithë e kanë dëgjuar fjalën e tij./ZËRI