
TIRANË- Debatet mes opozitës dhe mazhorancës kanë vijuar në Kuvend edhe pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku një pjesë e deputetëve të PD-së nuk u lejuan që të merrnin pjesë. Pas mbledhjes ka pasur një debat mes Lindita Nikollës dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. Ky i fundit e akuzoi Nikollën se po e përdor Kuvendin si vilën e saj personale.
“Pse nuk lejon deputetët? Parlament privat është ky? Po e trajton Kuvendin si vilën tëndë që e ke blerë me paratë e korrupsionit”, i drejtohet Gazment Bardhi kryetares së Parlamentit, pa pasur mundësi t’i afrohet shumë për shkak të ndërhyrjes punonjësve të Gardës së Republikës.
Gjatë gjithë ditës së sotme, deputetët e opozitës kanë qenë protagonistë të episodeve të ngjashme, për shkak se nuk janë lejuar të marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisionin e Ekonomisë.
Edhe më parë ata u futën me dhunë në zyrën e Nikollës, për t’i kërkuar llogari për vendimmarrjen e Kuvendit. Të martën, 6 deputetë u përjashtuan pasi u konsideruan përgjegjës për skenat e dhunës në seancën e të hënës në Kuvend, ku mes shumë debatesh, deputeti Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht socialistin Vullnet Sinaj.
/Zëri.ai