
KAMËZ- Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli nuk u paraqit sot në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. "Fajin" ia la gabimit të SPAK lidhur me orën që ishte kërkuar të paraqitej në SPAK. Sipas kryebashkiakut të Kamzës, kërkesa i kishte shkuar në orën 12.30, kur në fakt duhet të ishte atje që në orën 12:00.
“Nuk e shmanga kërkesën e SPAK-ut. Por ftesa më erdhi në 12.30, ndërkohë që më kërkonin për në 12. Do shkoj sapo të vijë seanca tjetër,”-tha Suli për gazetaren Anila Hoxha.
Megjithatë për shkak të kësaj ngatërrese me oraret, seanca ndaj tij nuk është zhvilluar dhe tashmë në zyrën e tij ka mbërritur një ftesë tjetër, kësaj herë për datën 6 nëntor. Për të shmangur vonesat, SPAK nuk e njoftoi kryebashkiakun e Kamzës nëpërmjet postës, por me Polici.
Por përse ka shkuar në SPAK Rakip Suli?
Kryebashkiaku socialist i Kamzës është kallëzuar në SPAK për disa vepra penale si “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit me praktikat e Ds1 Ds2 Ds3 Ds4 Ds5. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se një pjesë e denoncuesve janë paraqitur dje në SPAK, për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut socialist të Kamzës, Rakip Suli.
“Ne kemi paraqitur mënyrën si njoftohen këshilltarët bashkiakë për të bërë mbledhjet ‘online’, kjo në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, por edhe në kundërshtim me vetë rregulloren e këshillit bashkiak. Këshilltarët e opozitës kanë kohë që i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë dhe të këshillit bashkiak për t’i vënë në dispozicion një rregullore sesi funksionin këshilli bashkiak dhe kjo rregullore edhe sot, që kemi ardhur në SPAK, nuk vihet në dispozicion. Para SPAK kemi paraqitur raportin e auditimit të KLSH, i cili ka gjetur mjaft shkelje ligjore, vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Kryesisht këto vepra penale lidhen me mënyrën si janë investuar shpenzimet e caktuara nga këshilli bashkiak i kaluar dhe në lidhje me parashikimet ligjorë që i korrespondonte vlerës 3% të strehimit sociale, ligji i cili është ndryshuar në kundërshtim me kushtetutën me një VKM të marrë në 2019 në kohën kur kjo bashki kishte autonomi nga pjesëmarrësit e PS. Në të gjithë këto vepra penale që ne denoncojmë, përfaqësuesit e koalicionit BF kanë kërkuar që të mbajë një qëndrim jo vetëm kryetari i bashkisë, por edhe këshilli bashkiak që në kundërshtim me ligjin kërkojnë që mbledhja të bëhet ‘online’, por edhe për vendimet që i marrin fshehtas. Shpresojmë që SPAK të verë para përgjegjësisë kryetarin e bashkisë, kryetarin e këshillit bashkiak dhe zyrtarë të tjerë,”- tha avokatja Adriana Kalaja menjëherë pas depozitimit në SPAK të kallëzimit mesditën 11 shtatorit 2023./Zëri.ai