Politikë

Garda bllokon deputetët e opozitës të hyjnë në Konferencën e Kryetarëve, ‘zaptojnë’ zyrën e Nikollës

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, u lejuan që të merrnin pjesë vetëm deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Zheni Gjergji. Sapo Gjekmarkaj mori fjalën në mbledhje, Kuvendi ndërpreu sinjalin live në rrjetet sociale.

E.K
Garda bllokon deputetët e opozitës të hyjnë në
Gardistet pengojne hyrjen e deputeteve

TIRANË- Garda e Republikës ka ndërhyrë për të ndaluar deputetët e opozitës që të pengonin mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja e parashikuar që të mbahej paraditen e sotme, ishte shtyrë për në mesditë, pikërisht për shkak të pengimit që i bënë deputetët e opozitës. Megjithatë me ndërhyrjen e gardës, deputetët e opozitës u penguin që të hynin në sallën e mbledhjes, ku gjatë ditës së sotme do të raportojë projektbuxhetin e vitit 2024 ministri i financave Ervin Mete.

Rreth 30 gardistë kanë vendosur një pengesë me trup, për të penguar deputetët opozitarë të bëheshin pjesë e mbledhjes. Të pamundur për të kaluar këtë pengesë, deputetët opozitarë, mes të cilëve mund të shquheshin Gazment Bardhi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, por edhe të tjerë, kanë hyrë me dhunë në zyrën e kryetares Lindita Nikolla, ndonëse truproja e saj tentoi t’i ndalonte.

“Si qenka private zyra e kryetares së Kuvendit, ccfarë është këtu?”, dëgjohet që të thonë deputetët e opozitës.

Deputetët kërkuan llogari nga Nikolla për këtë masë ekstreme, teksa gjatë gjithë kohës debatet u zhvilluan me tone të larta. Vetë Nikolla në nisje të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve dënoi aktet e dhunës që sipas saj opozita ka ndërmarrë vazhdimisht ndaj organeve të Kuvendit.

“U detyruam që ta shtynim këtë mbledhje, për shkak të dhunës së opozitës, ne jemi mbledhur sot sipas të gjithë rendit të ditës, do të bëjmë shqyrtimin e draft kalendarit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm”, tha Nikolla në nisje të mbledhjes.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, u lejuan që të merrnin pjesë vetëm deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Zheni Gjergji. Sapo Gjekmarkaj mori fjalën në mbledhje, Kuvendi ndërpreu sinjalin live në rrjetet sociale.

“Deputetët janë jashtë, i keni mbyllur në ashensor brenda! Nuk lejohet të futet në mbledhje Gazment Bardhi, të cilin e keni ftuar! Buxheti është një turp që e diskutoni pa opozitën prezent. Po mohet e drejta e fjalës! Turp!”, deklaroi Gjergji në mbledhje.

Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke bllokuar jo vetëm seancat në Kuvend, por edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave. Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj. Tashmë qëndrimi i njëjtë i opozitës është shtrirë në të gjitha Komisionet Parlamentare. Sipas tyre kjo bëhet për të rikthyer në vend parlamentarizmin, pasi mazhoranca ka rrëzuar disa kërkesa të tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB