Politikë

Vjen reagimi i parë i Salianjit nga burgu: S'ka diktaturë që nuk mposhtet!

Në video janë shfaqur pamjet e deputetit nga gjyqi i zhvilluar në Gjykatën e Apelit deri në dërgimin e tij në burg.

F.I
Vjen reagimi i parë i Salianjit nga burgu: S'ka diktaturë që
Ervin Salianji

FIER- Pak nga mbërritja në burgun e Fierit ka ardhur edhe reagimi i parë i deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Në një video të publikuar në profilin zyrtar të deputetit demokrat, Ervin Salianji, janë shfaqur pamjet e këtij të fundit nga gjyqi i zhvilluar në Gjykatën e Apelit deri në dërgimin e tij në burg.

“Nuk ka diktaturë që nuk mposhtet. Kjo është vetëm medalje në karrierën time politike”, shkruhet krah videos në profilin e deputetit.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e sotme, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. 

Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB