TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes dhe rezultatit të referendumit për zgjedhjen e kreut të PD-së.
Në një deklaratë për mediat, Vokshi u shpreh se procesi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe transparente në të gjitha degët e partisë. Sipas rezultateve, Sali Berisha i vetmi kandidat në garë është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike me 37 341 vota pro.
"Sot në 23 maj, demokratët në të gjithë vendin ishin të ftuar për të vendosur drejtimin e Partisë Demokratike. Përmes një procesi transparent, të rregullt, të qetë, të monitoruar gjerësisht nga media, pa asnjë pengesë për të, si dhe të karakterizuar nga një pjesëmarrje masive e anëtarëve të Partisë Demokratike. Nga përpunimi i të dhënave paraprake, pra kontaktet që kemi pasur me degët, 77 degët e Partisë Demokratike, ku votuan në 87 qendra votimi, nga rezultatet paraprake pra të procesit, kemi si më poshtë vijon.
Numri total i votave të numëruara pra, numri total i pjesëmarrësve është 39,441.
Nga këto, rezulton, vota të vlefshme 38,902.
Vota të pavlefshme 539.
Nga votat e vlefshme, vota pro kryetarit Sali Berisha 37,341.
Vota kundër 1,055.
Vota abstenim 506.
Suksese kryetarit Sali Berisha për rikonfirmimin e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike."- tha deputetja demokrate.
Procesi i votimit u zhvillua në 87 qendra votimi në të gjithë vendin./ZËRI