Politikë

Vulën e mori Berisha, Basha prezanton ndryshimet në logon e PD-së: Demokratët Euroatlantike!

Bashkë me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, me të cilën u prezantua programi i PD në 1 qershor, siglës së Partisë Demokratike i është shtuar edhe “DEMOKRATËT EUROATLANTIKË”.

k.m.
Vulën e mori Berisha, Basha prezanton ndryshimet në logon e
Lulzim Basha

TIRANË-Pas përfundimit të mbledhjes me Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, në të cilën u vendos për rekurs të vendimit të Gjykatës të Apelit në Gjykatën e Lartë, Lulzim Basha ka prezantuar shtesën që i është bërë logos së Partisë Demokratike. Bashkë me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, me të cilën u prezantua programi i PD në 1 qershor, siglës së Partisë Demokratike i është shtuar edhe “DEMOKRATËT EUROATLANTIKË”.

'DEMOKRATËT EUROATLANTIKË” identifikon tashmë Partinë Demokratike, duke nënvizuar vazhdimin e angazhimeve themelore dhe identitare me të cilat kjo forcë politike ka lindur, si forca e parë properëndimore e pluralizmit shqiptar. Duke mbajtur të qartë edhe një nga dallimet parimore që ishin në qendër të përplasjeve të brendshme që nisën pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe pezullimin e këtij të fundit nga grupi parlamentar i PD. Qëndrim që ka qenë koherent në këto 3 vite, i cili u nënvizua edhe ditën e sotme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ku u shpreh se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar në lidhje me personat e përcaktuar si “non grata”. Në po të njëjtin mesazh, Ambasada e SHBA deklaroi se të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.’- njofton Basha.

Më herët në një prononcim për mediat, Lulzim Basha, deklaroi se PD do të bëjë rekurs sepse e konsideron jo të ligjshëm vendimin e Apelit. 

"PD do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi e konsideron jo të ligjshme vedimin e marrë nga gjykata e apelit. Ka ardhur koha që t’i jepet fund paligjshmërisë 34 vjeçare që mban Shqipërinë peng të një grupi individësh. Në Shqipëri ka ardhur koha të fitojë drejtësia dhe jo padrejtësia,"-tha në prononcimin e tij Basha.

Por duket se ka edhe një plan "B" në rast se Gjykata e Lartë do ta lërë vulën sërish në duart e kryedemokratit Sali Berisha. Në të njëjtin prononcim, Basha siguroi mbështetësit e tij se shumë shpejt do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme. Por i vendosur përballë pyetjes nëse do të krijojë një parti të re, e mohoi. 

Vendimi për vulën u mor këtë javë nga Gjykata e Apelit, vendim të cilin Basha u zotua se nuk do ta komentonte por do ta pranonte. Por mesa duket me ditët që kanë kaluar, e kanë bërë që të ndryshojë mendje dhe të bëjë rekursin e vendimit. Megjithatë, vendimi i ka dhënë efektet e para në skuadrën e Bashës, që deri më tani shënon 2 "dezertorë". Në harkun kohor të dy ditëve, 2 prej deputetëve të konsideruar besnikë të Bashës, Kreshnik Çollaku dhe Eralda Tase Bano, njoftuan kalimin në Partinë Demokratike tashmë zyrtare, që drejtohet nga Sali Berisha duke u shprehur se njohin vetëm "vulën" që tashmë i përket Berishës.

Ndërkohë, ky i fundit, prej disa ditësh bën thirrje për bashkim duke premtuar se do të respektohet mendimi ndryshe dhe kontributi në Partinë Demokratike. Edhe pse nuk i ka përmendur kurrë me emër, duket se apeli për bashkim është edhe për Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilët më parë i kishte "përjashtuar" nga mundësitë e bashkëpunimit me ta, duke i konsideruar si "pengje të kryeministrit Edi Rama". E ndërkohë që pritet një tjetër vendim për vulën e PD, po diskutohen skenarët që po shqyrton Basha për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2025. Dy skenarët më të mundshëm, të konfirmuara nga burime pranë grupimit të Bashës, janë krijimi i një force të re politike ose koalicion me partitë jashtë koalicionit të kreut të PD-së, Sali Berisha.

Nuk përjashtohet mundësia, që Basha dhe deputetët pranë tij, të jenë një fraksion në Partinë Demokratike, që aktualisht drejtohet nga Berisha, por ky skenar duket i parealizueshëm. Me shumë mundësi, ashtu siç thotë edhe vetë, Lulzim Basha do të krijojë një forcë të re politike një vit larg zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025./ZËRI

Poll

MOS HUMB