Politikë

Deputetët po i ikin, Lulzim Basha vulos sot fatin e tij politik/ SKENARËT që janë hedhur në tavolinë

Deri tani skenari për të krijuar një parti të re politike, 1 vit para zgjedhjeve parlamentare, duket të jetë më i besueshmi

E.K
Deputetët po i ikin, Lulzim Basha vulos sot fatin e tij politik/
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet që të zhvillojë sot një takim vendimtar për të ardhmen e tij politike, me një grup të ngushtë deputetësh, që janë ende në krahë të tij, edhe pas vendimit të Apelit, që i dha vulën Sali Berishës.

Takimi i Bashës me besnikët, pritet të nisë në orën 14:00, teksa vjen pas atyre të dy ditëve më parë me Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, ku pas takimeve nuk pati një vendim përfundimtar. Në harkun kohor të dy ditëve, 2 prej deputetëve të konsideruar besnikë të Bashës, Kreshnik Çollaku dhe Eralda Tase Bano, njoftuan kalimin në Partinë Demokratike tashmë zyrtare, që drejtohet nga Sali Berisha.

Vetë Basha ka qenë i paqartë në lidhje me vendimmarjen që do të ketë për të ardhmen, pavarësisht se në daljet e tij është shprehur, se gjithçka që do të ndërmerret do të jetë përtej interesave personale.

Burime për mediat bëjnë me dije se juristët në grupimin e tij, që janë marrë me çështjet ligjore dhe zgjedhore, e kanë këshilluar Lulzim Bashën, që të mos humbasë më kohë me betejën për rekurs në Gjykatën e Lartë, edhe pse nuk është rrëzuar ende përfundimisht si skenar.

Dy skenarët më të mundshëm, të konfirmuara nga burime pranë grupimit të Bashës, janë krijimi i një force të re politike ose koalicion me partitë jashtë koalicionit të kreut të PD-së, Sali Berisha.

Nuk përjashtohet mundësia, që Basha dhe deputetët pranë tij, të jenë një fraksion në Partinë Demokratike, që aktualisht drejtohet nga Berisha, por ky skenar duket i parealizueshëm, sa kohë që pjesa më e madhe e demokratëve nuk i pranojnë më Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

Me shumë mundësi, Lulzim Basha do të krijojë një forcë të re politike një vit larg zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, teksa këtë gjë e deklaroi mbrëmjen e djeshme edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, referuar burimeve të tij. Bardhi tha se ka informacione që një pjesë e deputetëve të PD-së, ditë në vijim do të deklarojnë largimin nga grupi parlamentar i PD-së. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB