
TIRANË-Teksa sot në ditën e 12-të të tubimeve është paralajmëruar protesta kombëtare, policia e shtetit ka shtuar masat. Forcat e drejtorisë vendore të Policisë Dibrës janë vendosur para hyrjes së tunelit të Murrizit duke vëzhguar e kontrolluar lëvizjen e automjeteve dhe protestuesve nga Qarku Dibër.
Efektivët kanë bërë ndalimin e disa automjeteve bazuar në dyshimet se mund të ketë persona që do të bëhen pjesë e protestës në Tiranë, por deri tani nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë.
Ndërkohë kontrollet janë shtuar edhe në pikën kufitare të Qafë-Thanës, ku prej ditës së djeshme janë angazhuar efektivë të Policisë Kufitare dhe të Policisë së Shtetit, të cilët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në automjetet që hyjnë në territorin shqiptar. Kontrollet lidhen me dyshimet për transportimin e sendeve të ndaluara, si dhe me informacionet se grupe të caktuara shqiptarësh nga Maqedonia e Veriut mund të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës./ZËRI