Qytetërim

2025 viti kur flamuri u ngrit nga pak, por u mbajt peng nga shumë

Ishte viti kur kuqezinjtë u ngritën në disa arena ndërkombëtare, por edhe viti që ekspozoi lakuriq boshllëkun e madh të sistemit sportiv shqiptar.

Kristi Hoxha
2025 viti kur flamuri u ngrit nga pak, por u mbajt peng nga shumë
Foto Ilustruese

Ka vite që kalojnë pa zhurmë dhe ka vite që lënë gjurmë. 2025-a për sportin shqiptar ishte një vit kontrastesh të forta: disa zemra që rrahën fort për Shqipërinë dhe shumë të tjera që heshtën, u dorëzuan ose u mbytën nga paaftësia, mungesa e vizionit dhe rehatia institucionale. Ishte viti kur kuqezinjtë u ngritën në disa arena ndërkombëtare, por edhe viti që ekspozoi lakuriq boshllëkun e madh të sistemit sportiv shqiptar.

Futbolli – kur kombëtarja mbajti peshën e një vendi të tërë

Në një realitet sportiv të varfër, kombëtarja e futbollit mbeti sërish shtylla morale e sportit shqiptar. Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria nuk ishte thjesht pjesëmarrëse. Ajo fitoi, rezistoi, u përball me kundërshtarë historikisht më të fortë dhe, mbi të gjitha, riktheu ndjesinë se kjo fanellë nuk vishet më për të mbushur kalendarin.

Fitore si ajo në Beograd nuk ishin vetëm tri pikë. Ishin çlirim psikologjik, thyerje tabu, dhe dëshmi se Shqipëria nuk është më një emër që përmendet me përbuzje në shorte. Përballjet me Anglinë, edhe kur rezultati nuk ishte ideal, treguan një skuadër që nuk u përkul, që nuk u fsheh dhe që pranoi betejën. Në një vit ku shumë sporte nuk prodhuan asnjë emocion, futbolli mbajti gjallë shpresën kombëtare.

Lara Colturi – një vajzë, një flamur, një histori që turpëron sistemin

Në pistat e akullta të Europës dhe Amerikës, Lara Colturi bëri atë që Shqipëria nuk ka ditur kurrë ta ndërtojë vetë: një sportiste elite në një sport që në vendin tonë nuk ekziston. Podiumet e saj në Kupën e Botës në ski në 2025 nuk janë thjesht rezultate sportive. Janë akuzë e heshtur ndaj një shteti që nuk ka as pista, as akademi, as strategji për sportet dimërore, por që sot krenohet me një emër që u rrit jashtë tij.

Colturi është krenari, por edhe pasqyrë. Ajo tregon se talenti shqiptar ekziston, por sistemi shqiptar nuk di ta prodhojë, ta mbajë dhe ta zhvillojë. Ajo fiton pavarësisht Shqipërisë, jo falë saj.

Peshëngritja – traditë që mbijeton, por nuk rilind

Peshëngritja shqiptare, një nga sportet historikisht më medaljore, në 2025 mbijetoi më shumë me emrin sesa me rezultatet madhore. Organizimi i një kampionati europian për të rinjtë dhe U23 në Durrës ishte një sukses organizativ dhe simbolik, por nuk e fsheh dot faktin se Shqipëria nuk po prodhon më kampionë si dikur.

Talente ka, por mbështetja është fragmentare, infrastruktura e vjetëruar dhe menaxhimi shpesh i politizuar. Në një sport ku Shqipëria dikur ishte forcë, sot gëzohemi më shumë për organizime sesa për podiume.

Atletika – pjesëmarrje pa pretendim

Në 2025 atletët shqiptarë ishin të pranishëm në arenën botërore, por pa impakt real. Pjesëmarrja në kampionate botërore është e rëndësishme, por kur nuk shoqërohet me finale, rekorde kombëtare apo rezultate që lënë gjurmë, ajo mbetet statistikë.

Atletika shqiptare vuan nga e njëjta sëmundje kronike: mungesë planifikimi afatgjatë, trajnerë të pambështetur dhe të rinj që braktisin sportin për mungesë perspektive.

Sportet e harruara – zero rezultate, zero përgjegjësi

Dhe pastaj janë sportet që në 2025 nuk sollën asnjë lajm, asnjë emocion, asnjë sukses. Basketbolli, volejbolli, sportet e luftës në nivele elite, noti, çiklizmi – të gjithë mbetën në hije. Jo sepse shqiptarët nuk janë të aftë, por sepse askush nuk mban përgjegjësi për dështimin.

Federata që ekzistojnë vetëm në letra, aktivitete që mbyllen brenda kufijve lokalë dhe mungesë totale vizioni ndërkombëtar. Në një vit të tërë, shumë prej këtyre sporteve nuk prodhuan as një rezultat që të përmendej jashtë Shqipërisë. Dhe kjo është alarm, jo rastësi.

2025 nuk ishte problem i sportistëve, por i sistemit

Në fund, 2025 nuk ishte një vit i keq sepse sportistët dështuan. Ishte një vit që tregoi se sporti shqiptar ecën përpara vetëm kur individë të jashtëzakonshëm luftojnë kundër rrymës. Kombëtarja e futbollit, Lara Colturi, disa emra të izoluar – këta nuk janë produkt i një sistemi funksional, por përjashtime heroike.

Nëse Shqipëria do të vazhdojë të jetojë vetëm me emocione sporadike dhe jo me rezultate të qëndrueshme, atëherë 2025 do të mbetet një paralajmërim i humbur. Sepse flamuri nuk mjafton të valëvitet. Duhet dikush ta çojë deri në podium./ZËRI

Poll

MOS HUMB