TIRANË- Pjesë e botës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, aktori i njohur Mehdi Malkaj ka ndarë me publikun disa copëza nga jeta e tij personale. Në mbremjen e fundvitit, aktori i dashur për publikun ka rrëfyer se si ishte viti që lamë pas për të.
Mes shumë emocioneve, Malkaj u shpreh se pas shumë vitesh betejë, djali i tij ka arritur të lërë pas përdorimin e drogës dhe varësinë që kishte krijuar prej saj. Aktori e ka cilësuar këtë moment si një sfidë, por njëkohësisht edhe arritjen më të madhe të jetës së tij.
“Unë mendoj se ky është viti më i bukur i jetës dhe i familjes time, për një arsye shumë të fortë. Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali ka qenë përdorues droge për shumë vite, tani nuk është më. Nëse urren dikë shumë, mos e mallko kurrë: ‘Të pafsha fëmijët me përdorim droge.’ Kam vite të tëra që kam luftuar, e gjithë familja ka luftuar. Kur përjeton diçka të tillë, nuk ka asnjë mundësi tjetër, është rrëmujë, është rrëmujë shpirtërore”, – ka thënë aktori me lot në sy.
Malkaj ka shtuar se djali i tij, tashmë 44 vjeç, e ka filluar drogën që në moshën 15- vjeçare. Megjithatë, ai theksoi se djali i tij është një "yll", duke shtuar: “Nuk e keni idenë se çfarë humori ka, nuk e keni idenë sa i mirë është me të afërmit, me mua. Pas këtyre viteve të vështira, e gjithë familja u bashkua dhe bëmë një turne në të gjithë Shqipërinë. Kjo ngjarje më ka bërë të besoj në Zot. Ai është bërë yll, është bërë yll.”
Në fund, aktori ka falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë gjatë këtyre viteve të vështira dhe ka theksuar se ky vit ka sjellë ndryshime pozitive në jetën e tij dhe të familjes së tij./ZËRI