
BARBADOS- Babai i Rihannës, Ronald Fenty, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare. Kështu raporton media amerikane "Page Six". Sipas stacionit radiofonik Starcom Network News, me seli në Barbados, vendlindja e yllit të popit, Fenty vdiq herët të shtunën në mëngjes në Los Angeles.
Por, Rihanna ende nuk ka konfirmuar lajmin.
Shkaku zyrtar i vdekjes nuk dihet ende, por burimet thonë se ai vdiq pas një sëmundjeje. Sipas të njëjtit burim, anëtarët e familjes u mblodhën në Kaliforni për të shprehur nderimet e tyre ndaj të ndjerit. Rihanna dhe babai i saj kanë pasur një marrëdhënie të trazuar gjatë viteve, thuhet se për shkak të problemeve të tij me abuzimin me alkoolin dhe drogën. Ai u divorcua nga nëna e saj, Monica, kur këngëtarja ishte 14 vjeç. Ajo foli për ndarjen e tyre në një intervistë të vitit 2011 me Vogue, duke e quajtur marrëdhënien e tyre "shumë të çuditshme".
Në vitin 2012, Rihanna njoftoi se ajo dhe babai i saj e kishin “riparuar” marrëdhënien e tyre, duke i thënë Oprah-s në një intervistë se mësoi ta dallonte atë si baba nga ai si bashkëshort.
“Ai më tregoi gjithçka, dhe sado i keq që ishte me mamin tim, ndonjëherë, nuk krahasohej me sa i shkëlqyer ishte ai si baba. Dhe më është dashur ta pranoj këtë,”- tha ajo.
Megjithatë, dukej se dyshja baba-bijë ishin sërish në marrëdhënie të këqija në vitin 2019 kur Rihanna e paditi atë për përdorimin e emrit të saj për përfitime financiare përmes kompanisë së tij të talenteve, Fenty Entertainment, të cilën ai pretendonte se ishte e lidhur me këngëtaren.
Rihanna ngriti padinë tre javë përpara se çështja të shkonte në gjyq në vitin 2021, por pastaj u tërhoq pas me pretendimin se ishin pajtuar.
Ronald kishte 3 fëmijë me ish-gruan e tij, Monica Braithwaite: Rihanna-n, Rajad dhe Rorrey. Çifti u nda në vitin 2002, pikërisht kur karriera e Rihanna-s po fillonte të merrte hov.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta vjen ndërsa Rihanna është në pritje të fëmijës së saj të tretë me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky./ZËRI