
TIRANË- Një tjetër ndeshje, një tjetër barazim! Shqipëria nuk shkoi më shumë se rezultati 1 me 1 në ndeshjen që luajti në transfertë ndaj Letonisë. Me këtë pikë të arkivuar në transfertë, kuqezinjtë e Silvinjos, u ngjitën në kuotën e 5 pikëve, në 4 ndeshje të zhvilluara në grupin K të kualifikuesëve për Kampionatin Botëror 2026. Shqipëria mban vendin e dytë të grupit, me 1 pikë më shumë se Serbia, që ka dy ndeshje më pak. Tashmë, Kombëtarja do të duhet që të presë shtatorin për t’u kthyer përsëri në fushë dhe për të vazhduar me synimin që të mbyllë kualifikueset në vendin e dytë.
Shqipëria luan vetëm një ndeshje në shtator, por më para do të ketë një përballje mes Letonisë dhe Serbisë. Secila nga këto skuadra të fitojë apo barazojë, sërish do ta kalojnë kombëtaren tonë në kualifikim. Ndeshja përcaktuese do të jetë ajo me Letoninë në Shqipëri, ndërsa Serbia do të presë Anglinë.
GRUPI K
KALENDARI I SHTATORIT
06.09.2025
Letoni-Serbi
Angli-Andorra
09.09.2025
Shqipëri-Letoni
Serbi-Angli
Por çfarë ndodhi në ndeshjen e djeshme, si u shprehën lojtarët pas 90 minutave në fushën e blertë?

Mbrojtësi Mario Mitaj foli pas barazimit 1-1 të Kombëtares në Letoni, duke mos e fshehur zhgënjimin.
“Nuk kam se çfarë të them shumë për këtë ndeshje. Ishte një kundërshtar shumë i fortë. Në pjesën e dytë bëmë shumë raste, por nuk bëmë golin. Kur shohim që nuk e bëjmë dot golin aq lehtë, duhet të shikojmë që të mos pësojmë. Shpresoj që të shënojmë në ndeshjet e tjera. E dinim që ata ishin të rrezikshëm nga goditjet standarte, por ishte thjesht një shpërqendrim,"- tha Mitaj.
Edhe Kristjan Asllani nuk është i kënaqur me barazimin.
"Sigurisht që nuk ka qenë pjesë e parë pozitive. Nuk e di çfarë ka ndodhur, kishim fat se gabuan penalltinë dhe gjetëm golin. Nuk mund të bëhet pjesa e parë kështu sepse e dimë çfarë ëndrre kemi dhe kështu bëhet çdo gjë e vështirë. Të gjitha ndeshjet e vështira. Serbia ka dy ndeshje më pak, jemi në vend të dytë. Çunat do pushojnë, unë do shkoj në Botëror për klube. Më pas në shtator duhet Shqipëri tjetër. Pjesën e parë kam shkuar shumë herë lart. Kemi marrë kundërsulme, trajneri na kërkoi të ktheheshim në mbrojtje mua dhe Shehut se mbrojtja gjendej vetëm. Pjesa e parë problemi besoj se vinte nga presimet individuale dhe jo skuadra. Lamë mbrojtjen vetëm dhe kishte shumë probleme. Kur të kthehemi do punojmë akoma më fort. Duhet të luajmë për të fituar ndeshjet. Do shkoj në Botëror për klube, për merkato do flasim se jam i lodhur edhe nga ndeshja. Këto gjëra do i shohim dhe do flasim,"- tha Asllani për "Klan".
"Heroi" i mbrëmjes, portieri Thomas Strakosha, i cili priti penalltinë tregoi edhe 'sekretin' e tij. Por nuk i kurseu as kritikat për shokët e skaudrës, duke u shprehur se ekipi e ka të vështirë të shënojë.
“Na mungoi goli i dytë. Duhet të ishim më të përqëndruar, kemi treguar që nuk e kemi kaq të thjesht. Duhet të mbrojmë më të mirë dhe të jemi më agresivë përpara. Penalltia? E pyeta Bozhiqin (trajnerin e portierëve) te penalltia çfarë mendonte, më tha mendimin e vet. E pyeta pak çfarë mendimi kishte, ma tha dhe mora vendimin vetë. Çfarë tha? Të qëndroja në vend.Duhet të mbanim topin mbrapa më shumë në pjesën e parë. Dhamë 4-5 korne në pjesën e parë, nuk duhej kaq thjesht. Asgjë nuk ka mbaruar, duhet të merrnim edhe dy pikë këtu. Duhet të shikojmë veten tonë, të marrim pikët brenda në shtëpi me Letoninë. Në pjesën e parë Sylvinho normalisht nuk ishte i lumtur,”- u shpreh Strakosha për “Supersport”.
Edhe sulmuesi Armando Broja nuk e ka pritur barazimin.
“Sot na ka munguar gjithçka. Në pjesën e parë nuk e luajtëm shpejt topin, nuk futëm shumë topa në zonë, nuk bëmë goditje në portë. Strakosha bëri pritje të bukur te penalltia, goli i Letonisë, na i prishi moralin. Këto ndeshje janë të vështira. Në qoftë se nuk shënon, ka për të qenë ndeshje e vështirë. Ata donin të luanin vetëm me topa të gjata, të vononin lojën. Trajneri merr vendimet e ekipit. Çdo lojtar ka kapacitet për të luajtur 90 minuta. Ndoshta ishin njëçik të lodhur. Ajo ishte një ndeshje e vështirë, na ka konsumuar fizikisht. Edhe kjo ishte e vështirë. Jemi mërzitur shumë, nuk kemi luajtur mirë sot. Shanse për vendin e dytë ka. Ky grup nuk është i lehtë. Kemi shanse për t’u kualifikuar nëpërmjet vendit të dytë. Ekipet e vogla mbyllen, rrijnë shumë në mbrojtje, është e vështirë të krijosh shanse, siç bëjmë ne kundër Anglisë dhe Serbisë. Duhet më shumë të qarkullojmë topin dhe duhet të fusim më shumë topa në zonë dhe të krijojmë shanse. Kemi bërë disa skema në stërvitje për të krijuar shanse. Kur futesh në lojë është më ndryshë. Duhet të krijonim më shumë shanse,”- u shpreh Broja për 'Supersport'.
Më i përfoluri i ditëve të fundit, Rey Manaj, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit, komentoi gjithashtu lojën, duke treguar edhe përjetimet e tij për humbjen e penalltisë me Serbinë.
“Isha i kënaqur nga aksioni për golin 0-1. Por pastaj nuk ishim të përqendruar. Menduam se mund ta fitonim ndeshjen lehtë. Besoj se e preka unë topin në fund te goli. Por edhe autogol, për mua nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të fitojë Shqipëria. Po luajmë për Kupën e Botës, nuk po luajmë kalçeto me shokët. Normale që është e vështirë të bësh gol. Futbolli nuk luhet me matematikë. Fakti që është në vendin e 138 duhet t’i bësh 5 gola dhe Serbisë që është në vendin e 30 nuk duhet t’i bësh gol. Mund të jetë një ngarkesë tani në fund të sezonit, kemi luajtur shumë ndeshje. Është edhe presioni, sepse të gjithë mendonin se do të vinim në Letoni dhe do të fitonim 0-3. Duhet të përgatitemi më mirë dhe të shënojmë në ndeshjet e tjera. Ndeshja me Serbinë, penalltia e humbur dhe shiriti i kapitenit? Mbas penalltisë nuk kam fjetur fare gjumë. Gjysma e njerëzve disa gjëra nuk i kuptojnë. I pranoj kritikat. Ka lojtarë me eksperiencë në ekip dhe lojtar të rinj. Ne më të vjetërit, duhet ta marrim situatën në dorë. Mbase jemi të ngarkuar. Në shtator t’i futemi fortë dhe të synojmë vendin e dytë, sepse është një shans i artë për të shkuar në Botëror,"-tha Manaj.
Edhe trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli për 'Klan' pas ndeshjes, duke e quajtur lojën e sotme "një hap pas" për atë që kanë arritur kuqezinjtë deri më sot. Sipas tij, pjesa e parë ishte e "falur" për kundërshtarin.
"Është penalltia e parë që kemi pësuar në këto 2 vite e gjysmë. Kemi gabuar. Strakosha ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Bëmë një gol, por më pas kemi gabuar. Futbolli nuk të fal. Në pjesën e parë kemi gabuar shumë, sidomos në qarkullimin e topit nga ekipi kundërshtar. Jemi përmirësuar më shumë në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi. Duhet të futemi në fushë me një qendrim ndryshe, me një përqendrim më të madh, pasi futbolli është 90 minuta. Gabimet më të mëdha kanë qenë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar 45 minuta.
Duhet të dimë të shkojmë drejt atij objektivi që kemi vendosur. Objektivi ishte që të fitonim. Kemi merituar diçka më shumë edhe me Serbinë, por kur arbitri thotë “kaq”, atëherë marrim vetëm një pikë dhe kaq. Mëkat që shpërdoruam 45 minuta. 45 minuta janë një kohë shumë e gjatë për të pritur, si në jetë, ashtu edhe në futboll. Edhe nëse je Brazili, apo Italia, nuk fiton dot nëse nuk bën atë që duhet bërë në fushë, pavarësisht nëse je favorit në letër. Sigurisht që ishte një hap pas nga ndeshja me Serbinë, sidomos në 45 minutat e para. Kur kemi vendosur një objektiv nuk mund të presim. Jeta nuk të fal, ashtu edhe futbolli. Qasja ishte e gabuar,"- tha Sylvinho.
Pas ndeshjes, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka reaguar në kanalet e komunikimit, duke thënë se duhen energji të reja në shtator.
Mesazhi i plotë i Armand Dukës:
"Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do donim të shihnim, apo rezultati që do duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari shfrytezoi në gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, teksa duhet t'i merrnim te treja. Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjeter e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera. Kuptoj dhe mirëkuptoj sensitivitetin e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij. Nuk arritem të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe një gjysme rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnje nga rivalët tanë. Natyrisht, ne na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendoje. Dhe për të arritur ketu stafi teknik duhet t'i nenshtrohet një analize bazike siç edhe përherë bën, por që këtë radhë kam bindjen që do të prodhoje një reagim të menjëhershëm.
Luajtëm 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve sikundër edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona! A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli! A kemi gabime në lojë që kerkojne të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur. Sepse, Ne jemi Shqiperia! Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi! Rikthehemi në shtator!"
Por tashmë, kritikat duhet që t'i përsërisin në shtator, atëherë kur rezultati do të ketë sërish rëndësi./ZËRI