
GJERMANI- Karim Adeyemi ka ndërruar agjent edhe një herë, duke iu bashkuar superyjeve globalë Cristiano Ronaldo dhe Lamine Yamal duke kaluar te agjencia e Jorge Mendes.
Një raport nga Sky konfirmoi të premten se Adeyemi e ka ndryshuar përfaqësimin e tij edhe një herë, duke shënuar ndërrimin e tij të tretë të agjencisë në vetëm 12 muaj. 23-vjeçari tani ka nënshkruar me super-agjentin e njohur portugez Mendes dhe agjencinë e tij Gestifute.
Mendes, një nga figurat më me ndikim në futbollin botëror, përfaqëson një mori lojtarësh të elitës, përfshirë Ronaldon, Yamalin, Vitinhan, Bradley Barcolan, Ruben Diasin dhe Bernardo Silvën. Me këtë transferim, Adeyemi i bashkohet një grupi ekskluziv yjesh globalë nën ombrellën e Gestifute.
Ky ndryshim i fundit vjen vetëm disa muaj pasi Adeyemi iu bashkua agjencisë gjermane ROOF në shkurt të vitit 2025. Përpara kësaj, ai përfaqësohej nga EPIC, me të cilin nënshkroi kontratë gjatë verës së vitit 2024.
Futbollisti i Dortmundit, Karim Adayemi, është i njohur në vendin jo vetëm si futbollist i një prej ligave më të njohura, por edhe për shkak të lidhjes me reperen shqiptare, Loredana Zefi./ZËRI