TIRANË- Pas më shumë se dy dekadash në drejtimin e Fiks Fare, gazetari Filip Çakuli pritet të largohet nga emisioni investigativ, duke i hapur rrugën një ndryshimi të rëndësishëm në strukturën e programit.
Çakuli dhe Denisa Haxhiaj janë njoftuar për largimin, ndërsa drejtimi i skuadrës investigative mësohet se i është besuar gazetares Antela Lika.
Fiks Fare, një prej formateve më jetëgjatë të gazetarisë investigative në Shqipëri, ka 25 vite në ekran dhe gjatë kësaj periudhe është kthyer në një nga programet më të njohura për denoncimin e problematikave dhe abuzimeve.
Në krye të ekipit investigativ mësohet se do të jetë gazetarja Antela Lika. Ajo është një prej emrave të njohur të Fiks Fare dhe ka qenë autore e një sërë investigimesh dhe denoncimesh të rëndësishme të transmetuara ndër vite.
Ndryshimi vjen në një moment të rëndësishëm për emisionin, i cili pritet të vijojë aktivitetin me një drejtim të ri, duke ruajtur fokusin tek gazetaria investigative dhe problematikat e qytetarëve.
Largimi i Filip Çakulit pas më shumë se 20 vitesh shënon një ndryshim të madh në historinë e Fiks Fare, ndërsa kalimi i drejtimit te Antela Lika pritet të hapë një fazë të re për formatin./ZËRI