Qytetërim

“Letonia ka ekip të fortë por ne duam 3 pikët”/ Humbja e penalltisë, Sylvinho mbron Manajn: Përgjegjësia ime!

Në prononcimin e tij për mediat, braziliani theksoi se ndeshja është tepër e rëndësishme, për të dy skuadrat. 

k.m.
“Letonia ka ekip të fortë por ne duam 3 pikët”/
Pamje nga konferenca

RIGA- Kombëtarja shqiptare ndodhet në Letoni, ku nesër më 10 qershor do të luajë ndeshjen e katërt të vlefshme për Grupin K, në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026. Sot, para mediave kanë dalë trajneri i Shqipërisë, Sylvinho dhe mesfushori Kristjan Asllani. Në prononcimin e tij për mediat, braziliani theksoi se ndeshja është tepër e rëndësishme, për të dy skuadrat. 

"Ka nisur tashmë numërimi mbrapsht. Nuk e di a është vendimtare, por shumë e rëndësishme. Letonia ka një trajner italian, Paolo Nicolato, luajnë në mënyrë të kodifikuar. Letonia ka lojtarë të gjatë dhe mund të luajë në disa mënyra. Nuk e di se si do të përkthehet termi “i kodifikuar” te trajneri, por nesër do flas vetë me të në fushë,”- tha braziliani. I pyetur se cili do të jetë kapiten në ndeshjen e nesërme, duke qenë se Berat Gjimshiti do të mungojë për shkak të një lëndimi, Sylvinho duket se ende nuk e ka ndarë mendjen.

“Varet, nëse luan një lojtar, zgjidhet ai. Nëse nuk luan, do jetë një tjetër.”

Dy fjalë i pati edhe për përformancën e Mario Mitaj në ndeshjen me Serbinë, i cili u konsiderua si një nga lojtarët më të mirë në fushë.

“Është lojtar shumë teknik. Por nuk është e lehtë. Në Kombëtare nuk ke kohë për të parë lojtarin. Nuk kemi kohë për të provuar. Ai është mbrojtës i majtë, ka shumë cilësi dhe jep më të mirën në kombëtare dhe klubin ku luan. Kështu që do të vazhdojë kështu për momentin,”-tha trajneri.

Por zgjodhi që të mos jepte asnjë indicie për formacionin.

"Ndeshja e dytë është gjithmonë pak më e vështirë, për shkak të rikuperimit. Nuk kemi vendosur ende për formacionin. Të nesërmen mund të kemi një ide më të qartë. Kemi disa alternativa dhe hapësira për të zgjedhur në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Lista e alternativave për sulmin është e gjatë: Muçi, Uzuni, Pajaziti, Berisha, Ramadani, Broja, Hasani, Nedim Bajrami, Hoxha, Daku. Kjo na jep mundësinë të zgjedhim sulmuesin. Do të shohim dhe nesër do të marrim vendimin.”

Edhe njëherë komentoi zgjedhjen që penalltinë ndaj Serbisë ta qëllonte Rey Manaj. Njëjtë si pas ndeshjes, përgjegjësinë e mori braziliani. 

“Manaj është titullar i kësaj skuadre. E njoh që kur ishte një djalë 17-vjeçar tek Inter. Ka shumë personalitet. Ua kam thënë të gjithëve, përgjegjësia për të zgjedhur atë që gjuan penalltitë është e imja. Në stërvitje praktikohen penalltitë nga të gjithë dhe unë vendos kush i gjuan. Në Kombëtare ka presion të madh, sepse nuk ke shumë hapësira. Prandaj duhet të mbledhim sa më shumë pikë,”, shtoi Sylvinho.

Për kundërshtarin tha: Ata kanë një skuadër të fortë, lojtarë të fuqishëm dhe të gjatë fizikisht. Do të vlerësojmë si do të jetë skema, me katër apo tre në mbrojtje. 

Asllani nga ana tjetër u shpreh se ishte i fokusuar tek fitorja. 

“Duhen rikarikuar bateritë sepse vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti I lojës, kemi luajtur shumë mirë. Na ka munguar vetëm goli por tani e dimë që kemi këtu ndeshje të vështirë sigurisht por na duhen 3 pikë për gjërat që kemi në mendje ne dhe për ëndrrën tonë. Para kemi një ndeshje shumë të vështirë. Kanë trajner italian, që unë e njoh shumë mirë si punojnë. Do jetë ndeshje taktike, ndeshje ku ata do mbrohen shumë mirë. Tani s’po mendoj për Kristjan Asllanin, por mendoj vetëm për ndeshjen. Kemi ardhur këtu për ta fituar këtë ndeshje”, deklaroi mesfushori.

Pas barazimit 0-0 të shtunën ndaj Serbisë, Shqipëria renditet në vend të dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës, me 4 pikë. Vendin e parë e mban Anglia, ndërsa e treta renditet Letonia me 3 pikë, Serbia ka 1 pikë, ndërsa Andorra – 0./ZËRI

Poll

MOS HUMB