SHBA- "Unë kam aq shumë para sa mund të punësoj dikë që të të vrasë, dhe askush nuk do ta marrë vesh. Nuk ke për t’i munguar askujt!”, këto ishin fjalët kërcënuese që Sean “Diddy Comb i tha Daniel Evans, ish-shefit ekzekutiv të labelit muzikor “Bad Boy Records”.
Evans në një intervistë ekskluzive për BBC ka pranuar të flas publikisht për kërcënimet dhe presionin që ai ka hasuar gjatë kohës që ka punuar për Diddy-n.
Combs ishte një person që ushtronte presion, por Evans kujton se kur ai po rritej në famë, më shumë po transformohej. Evans kujton se reperi e kërcënoi atë një ditë pasi ai mori shpërblimin e tij më të madh deri më sot, 6 milionë dollarë pas bashkimit të reperit të ndjerë "The Notorious BIG" me kompaninë e tij. Në vitin 1993, karriera muzikore e Combs arriti kulmin e saj, me perandorinë e tij që shpejt u zgjerua dhe reperë të famshëm iu bashkuan atij. Më pas, nisën festat e çmendura të quajtuara “White Parties”, ku alkooli dhe droga ishin prezente.
Ndërsa tani, pothuajse tre dekada më vonë, trashëgimia e tij është rrënuar, ai ndodhet i mbyllur në një qeli burgu në pritje të dalë para gjykatës, pasi akuzohet për trafik njerëzor, sulme seksual dhe shantazh, së bashku me dhjetëra padi që e akuzojnë atë për drogë dhe abuzime në festat luksoze që organizonte. Diddy i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. BBC ka intervistuar më shumë se 20 persona që kanë punuar me Combs në Bad Boy Records, duke përfshirë ish-drejtues, asistentë dhe producentë, të cilët përshkruajnë për herë të parë incidentet që ata vetë kanë dëshmuar gjatë viteve 1990.
Disa drejtues u shprehën se shqetësimet e tyre nisën për herë të parë, pasi panë Combs duke bërë seks me femra të ndryshme në studio, duke përfshirë një incident ku një nga punonjësit e kompanisë kishte informuar stafin. Ndërsa një tjetër anëtar i stafit tha se Combs i kërkoi t’i sillte prezervativë. BBC gjithashtu raporton se fondet e korporatave janë përdorur për paguar transportin e shumë grave nga çdo vend i SHBA-ve me kërkesë të artistëve dhe punonjësve të tjerë në mënyrë që të kryente marrëdhënie seksuale me to.
E gjitha nisi kur Combs u bë milioner brenda një nate në 1993
"Reperi po tregon një sjellje të frikshme dhe shqetësuese çdo ditë e më shumë në vitet ’90,"- tha Tony Buzbee, një avokat amerikan që përfaqëson dhjetëra gra që kanë ngritur padi ndaj Diddy-t, në mesin e tyre është dhe një person që shprehet se Evans ishte dëshmitar kur Diddy e kërcënoi me jetë.
Klienti i tij pretendon se Combs e përdhunoi në banjo në një festë të mbajtur për 'The Notorious BIG', yllin më të madh të labelit, në vitin 1995. Ajo thotë në padinë e saj se Combs i tha të mos i tregonte askujt.
Në një deklaratë, ekipi ligjor i Combs akuzoi Buzbee se “ishte më i interesuar për vëmendjen e medias sesa për të vërtetën dhe tha se ylli i hip-hop asnjëherë nuk ka sulmuar apo trafikuar askënd seksualisht”.
Avokatët e 55-vjeçarit thanë se nuk u ishin dhënë detaje të mjaftueshme në lidhje me pretendimet e BBC-së për të paraqitur faktet që do kundërshtonin ato që i cilësuan si "akuza të fabrikuara".
"Siç kemi thënë më parë, Combs nuk mund të jetë në dijeni për çdo marifet publicitar apo pretendim absurd. Ai ka besim të plotë në procesin gjyqësor, ku e vërteta do të mbizotërojë: këto akuza janë trillime të pastra,"- thanë ata.
'Bad Boy Records" ishte sipërmarrja e parë e Combs, pasi kishte krijuar tashmë një emër për veten e tij në një tjetër label muzikor, "Uptown Records", në moshën 19-vjeçare.
“Ai tha se donte të bëhej një nga artistët më të mëdhenj në botë dhe nuk kishte rëndësi nëse e besoja apo jo,”- kujton Jimmy Maynes, një ish-koleg i Uptown. Maynes kujton se Combs kishte shumë pak durim dhe "përplaste duart në tavolinë" si një "fëmijë i llastuar" nëse nuk merrte atë që kërkonte. Combs përfundimisht u pushua nga Uptown dhe në moshën 23-vjeçare filloi Bad Boy Records.
"Ai është njeriu më punëtor që kam takuar ndonjëherë dhe gjithmonë donte që njerëzit të përputheshin me energjinë e tij", tha Daniel Evans, një ekzekutiv i lartë që menaxhoi buxhetet e regjistrimit të Bad Boy dhe kontratat e artistëve midis 1994 dhe 1997.
Combs e përshkroi veten si "Gatsbi i Madh" dhe shpejt u bë i njohur për pritjet e njerëzve të famshëm në klubet e natës në Nju Jork, në plazhet e Kankunit, Meksikë dhe më vonë "Festat e Bardha" famëkeqe -të quajtura sipas kodit të veshjes krejtësisht të bardhë- në Hamptons, Nju York.
"Edhe Presidenti Donald Trump shkoi në këto festa në vitet '90,"- tha Evans.
"Ne të gjithë ishim vërtet të rinj. Unë isha 24 vjeç,"- kujton Evans, i cili ishte një nga punonjësit e parë të labelit.
"Njerëzit donin të festonin, të argëtoheshin, të lidheshin dhe të ndërtonin kujtime të bukura."
Por, Evans shprehet se është shqetësuar nga disa nga gjërat që ai dëshmoi në lidhje me sjelljen e shefit të tij dhe kulturën e kompanisë.
Rreth vitit 1995, ai tha se pa Combs duke bërë seks me një vajzë të re në Daddy's House.
"Po bëhesha gati të shkoja në shtëpi për të kaluar natën dhe po kërkoja xhaketën time. Hapa derën dhe ai po bënte seks me një vajzë të re", tha Evans, duke shtuar se Combs i bërtiti dhe i kërkoi të largohej.
“Mendova se po më pushonin nga puna”, thotë ai.
Evans kujton se vajza e re ishte e heshtur dhe nuk fliste, dukej e mpirë. Kështu kishte dyshime nëse e reja ishte shumë e droguar apo thjesht e turpshme. Ai tha se kjo nuk i dukej e pazakontë në atë kohë. Por tani shprehet se e di shumë mirë në çfarë gjendje ka qënë gruaja.
Felicia Newsome, menaxherja e studios së regjistrimit të Daddy's House midis 1994 dhe 2000, thotë se sjelljet e papërshtatshme në industrinë e muzikës në tërësi ishin të përhapura në atë kohë.
"Ishte anormale nëse dikush e raportonte atë që po ndodhte, por nuk ishte anormale që të ndodhte," thotë ajo.
Newsome thotë se një punonjëse u thirr një herë në studio në mes të natës, sepse Combs ishte gati për të bërë seks me një modele dhe një grua tjetër, ndaj edhe u kërkoi që t'i sillnin prezervativë.
“I thashë Puffy-t, mos i kërko kurrë askujt këtu të shkojë të marrë prezervativë”, tha Newsome.
Ajo kujton se kur studioja u hap për herë të parë në 1995, Combs ishte i pakënaqur për pamjen e tavaneve dhe e quajti atë një "kurvë" para stafit. Ajo tha se kërkoi falje publike dhe mbylli përkohësisht studion.
Nga ana tjetër Evans kujton një moment të pakëndshëm me një 14-vjeçare në ekipin e tij, e cila i propozoi të kryenin marrëdhënie së bashku.
"Ajo më thotë, ti punon shumë shumë. Nëse ndonjëherë dëshiron të heqësh stresin, unë jam këtu”.
Evans thotë se e dërgoi atë në shtëpi dhe e thirri të nesërmen, duke i thënë që të mos kthehej në punë. 2 javë më vonë ajo u kthye dhe po punonte me Combs. Artistët dhe punonjësit e tjerë në kompaninë diskografike të Combs ndonjëherë të kërkonin gjithashtu që gratë të silleshin me avion për të bërë seks në studio.
Për të gjitha këto, avokatët e Combs thonë se klienti i tyre "mezi po pret të provojë pafajësinë e tij". Por, ka ende akuza që nuk janë bërë publike dhe që pritet të zbulohen në maj, kur të mbahet gjyqi për të.