Qytetërim

Stephen Curry nuk ndalet së shënuari rekorde të reja, kapërcen shifrën e 25 mijë pikëve në karrierë

Mbi 25 mijë pikë kanë shënuar vetëm 25 basketbollistë në NBA përgjatë gjithë historisë së trofeut më të famshëm të basketbollit botëror.

e.d
Stephen Curry nuk ndalet së shënuari rekorde të reja,
Stephen Curry

SHBA- Stephen Curry, basketbollisti i Golden State Warriors shënoi një rekord tjetër domethënës për karrierën e tij fundjavën që lamë pas. Ai kapërceu shifrën e 25 mijë pikëve të shënuara në karrierë. Këtë rekord basketbollisti e arriti gjatë fitores dramatike 115-110 të Golden State Warriors ndaj Detroit Pistons, kur në fillim të çerekut të tretë të lojës shënoi një trepikësh.

Mbi 25 mijë pikë kanë shënuar vetëm 25 basketbollistë në NBA përgjatë gjithë historisë së trofeut më të famshëm të basketbollit botëror. Vetëm 10 lojtarë, njëjtë si Stephen Curry, e kanë arritur këtë shifër duke luajtur për vetëm një skuadër. Ata janë: Karl Malone (Jazz), Kobe Bryant (Lakers), Dirk Nowitzki (Mavericks), Michael Jordan (Bulls), Hakeem Olajuwon (Rockets), Tim Duncan (Spurs), John Havlicek (Celtics), Reggie Miller (Pacers) dhe Jerry West (Lakers).

Stephen Curry do të mbahet mend si ‘’Mjeshtri i trepikëshave’’, si njeriu i rekordit absolut në NBA, me 3993 trepikësha. Më 14 dhjetor 2021 ai theu rekordin e Ray Allenit dhe tani është lideri absolut në këtë zë rekordesh, duke e thelluar më tej për ta bërë të pabesueshme arritjen. Në sezonin 2015/2016 Curry ishte lojtari me më shumë trepikësha në një sezon të vetëm në historinë e NBA: 402.

Ai mban rekordin e trepikëshave në një ndeshje play off-i: 9 të tilla; më shumë trepikësha në një raund final, 36 të tilla; si edhe rekordin e 286 ndeshjeve radhazi që shënon të paktën një trepikësh në lojë. Stephen Curry ka luajtur 16 sezone me Golden State Warriors. Ai ka një mesatare prej 24.7 pikësh, 6.4 asistimesh dhe 4.7 kërcimesh në 1,011 ndeshje të sezonit të rregullt. Basketbollisti është zgjedhur 10 herë për të luajtur në ndeshjen All-Star. Curry ka fituar 2 çmime MVP, 1 çmim MVP të finaleve dhe 4 tituj si kampion në NBA.

Poll

MOS HUMB