ANKARA- Aktori i famshëm turk Halit Ergenç u gjend në qendër të një skandali gjyqësor, pasi autoritetet turke e akuzuan për dhënie dëshmie të rreme. Ai u dënua me 1 vit e 10 muaj burg me kusht. Rasti lidhet me protestat në Parkun Gezi të Stambollit, të cilat u zhvilluan në vitin 2013. Bashkë me Ergençin, u dënua edhe kolegu i tij, Riza Kocaoglu. Sipas raportimeve të mediave vendase, aktori u shpall fajtor për dhënien e dëshmisë së rreme në lidhje me protestat që u zhvilluan në Parkun Gezi në Stamboll në vitin 2013. Të akuzuarit pretenduan se nuk kishin motive politike dhe iu bashkuan protestave vetëm për arsye civile dhe mjedisore.
Fillimisht, prokuroria kërkoi deri në 4 vjet burg për aktorin, por e zbuti dënimin për shkak të mungesës të veprave penale. Më pas, aktori u dënua me 2 vjet e 3 muaj burg, por dënimi i tij u reduktua në 1 vit, 10 muaj e 15 ditë për qëndrimin e tij respektues ndaj gjykatës. Kolegu i tij, aktori Riza Kocaoğlu, fillimisht mori një dënim më të gjatë prej 24 muajsh, por më vonë iu ul në 20 muaj burg.
Vlen të përmendet se në vitin 2013, në Parkun Gezi të Stambollit u zhvillua një tubim në shkallë të gjerë kundër prerjes së pemëve, i cili më vonë u përshkallëzua në protesta antiqeveritare. Një nga pjesëmarrësit kryesorë në demonstratë ishte aktori dhe aktivisti Memet Ali Alabora.
Çështja e tyre u rihap pasi prokurorët thirrën Ergenc dhe aktorin Riza Kocaoglu që t'i merrnin në pyetje për jë tjetër procedurë ligjore që përfshinte agjenten e famshme të talenteve Ayse Barım, e cila është në paraburgim që nga janari me akuzat se ka pasur përpjekje për të përmbysur qeverinë turke. Barım dyshohet se i udhëzoi aktorët që të mbështesnin publikisht protestat e Parkut Gezi. Gjatë gjyqit, Ergenc pretendoi se nuk kishte kontakt me organizatorët e protestave të akuzuar, përfshirë Memet Alabora dhe Ayşe Barım. Por protestuan për atë që konsideronin si të drejtë. Megjithatë, hetuesit gjetën prova që tregonin lidhjen e tyre me agjenten, ndaj edhe u dënuan për dëshmi të rreme.
Vendimi ka shkaktuar edhe një reagim ndërkombëtar, me organizata të tilla si Amnesty International që kërkojnë rrëzimin e akuzave dhe lirimin e të gjithë të burgosurve të lidhur me protestat e Gezi-t. Po ashtu, publiku turk po diskuton në mënyrë aktive situatën, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me lirinë e fjalës dhe presionin mbi njerëzit e famshëm, që duket se detyrohen mos të dalin kundër vendimeve të qeverisë. Halit Ergenc është një aktor i respektuar në Turqi, i cili fitoi popullaritet ndërkombëtar falë roleve të tij në serialet “Një mijë e një netë” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”./ZËRI