
TIRANË- Presidenti i Shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri ka paditurnë gjykatë kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin. Padia e depozituar në Gjykatën Themelore të Tetovës ka të bëjë me atë që Hudhri e cilëson si vjedhjen e librave të shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare. Historia nis vetëm pak ditë më parë! Më 23 maj, Kasami publikoi në rrjetet e tij sociale se kishte blerë me fondet e Komunës dhe kishte dhuruar 4450 libra për nxënësit e shkollave të mesme. Të gjitha botime shqiptare, që sipas tij do të ishin "invesim në dije".
DHURIMI ME VIDEO:
Por kopertinat e romaneve të Kadaresë janë vënë re se nuk janë ato të botuara nga shtëpia botuese “Onufri”, e cila ka dhe të drejtën e autorit për të gjithë veprën e shkrimtarit. Kështu është angazhuar menjëherë Hudhri.
Ky i fundit ka shkuar vetë në Maqedoninë e Veriut dhe ka bërë kallëzimin penal. Në një prononcim për mediat, botuesi Bujar Hudhri tha se kjo është një shkelje e rendë, duke e cilësuar skandaloze faktin që shteti promovon vjedhjen, duke pasur parasysh vjedhjen e të drejtave të autorit. Madje dhe paralajmëroi se do të kërkojë dënim dhe gjobë të majme për fajtorët, në mënyrë që të bëhen shembull dhe të respektojnë atë që ka lënë pas shkrimtari i madh.
"Ju falenderoj që keni ardhur për shqetësimin që nuk është vetëm i imi por është publik. Kam ardhur këtu në Tetovë për të bërë një kallëzim publik për kryetarin e Bashkisë së Tetovës, zotin Kasami, duke u nisur nga një postim që ai ka bërë në rrjetin e tij social, ai deklaron se ka dhuruar 5 shkollave afërsisht 5000 libra. Nga një kqyrje fare e lehtë e materialit të ekspozuar, unë kam konstatuar se të gjithë librat janë të vjedhura. Arsyeja pse vij dhe padis komunën është sepse është skandaloze që shteti të marrë një libër të vjedhur dhe ta dhurojë. E dyta, sepse u dhurohen bibliotekave publike të shkollave, që do të thotë se libra të tillë të vjedhur, të shtypur në mënyrë skandaloze, pa kurrfarë cilësie, madje edhe të përgjysmuara. Këto libra mbeten përfundmisht dhe brez mbas brezi në këto biblioteka. Ky është dyfish dëmi i madh që shkaktohet. E treta është se para 2 vitesh, unë kam sjellë këtu Ismail Kadarenë, nuk e kuptoj si kryetari i Komunës dekroi qytetar nderi Kadarenë, e tani i vjedh librat. Do kërkoj dëmshpërblim shumë të rëndë. Nuk do ta fal! Unë do të kërkoj një dënim shumë të rëndë që t'u vijë mendja në vend këtyre njerëzve. Në një botë të qytetëruar kjo është e papranueshme. Si mund të vjedhë dikush dhe shteti e mbështet, e stimulon dhe e promovon. Ky është shqetësimi im! Unë nuk e di se kush i shtyp këto libra dhe nuk kam asnjë të dhënë që të mund të bëj padi. Padia është kundër komunës së Tetovës e cila i promovon dhe i blen. Librat e Kadaresë duken që në kopertinë që janë të vjedhur. Të shtypur me letër skandaloze çka përbën përveç dëmit ekonomik, edhe dëm moral ndaj nesh si shtëpi botuese por dhe ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjithë e dinë se të drejtat e botimit të Kadaresë i ka “Onufri” dhe asnjë shtëpi botuese tjetër,”-tha ndër të tjera në fjalën e tij botuesi.
Ndërkohë, edhe pse është paditur, Kasami ende nuk ka bërë asnjë reagim apo kërkesë falje për atë që ka ndodhur. Postimi i fundit që ka bërë është takimi në zyrën e tij me futbollistin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Nedim Bajramin.
Por për mediat vendase, Komuna e Tetovës hedh poshtë akuzat. Sipas tyre, as Komuna, e as kryetari Bilall Kasami nuk kanë blerë e as kanë shitur libra.
“Komuna e Tetovës dhe kryetari i saj as ka porositur e as blerë libra. Librat janë blerë nga vetë shkollat e mesme, me mjetet e tyre, dhe janë blerë nga shtëpia botuese Çabej në Tetovë. Ne si komunë nuk kemi blerë libra, e aq më pak kreu i komunës. Një postim i tij në rrjetin social thotë se kreu i komunës ka shitur libra dhe kjo është një e pa vërtetë e madhe,”- u shpreh Albion Alili, Zëdhënës i komunës së Tetovës.
Prej vitit 2009, Onufri botoi veprën e plotë, në 20 volume, të Ismail Kadaresë. Ky do të ishte i pari botim integral, i botuar nën kujdesin e vetë autorit. Për bashkëpunimin, vetë shkrimtari i ndjerë thote: Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe në vende të tjera të Europës Lindore, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë në kuptimin shpirtëror të gjërave./ZËRI