TIRANË- Vetëm 2 ditë më parë, ZËRI vuri në pah dhe ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional ndaj pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ku Jozefin Marku dyshohet se dhunon Eduard Kuçin, ndërsa sot raportohet arrestimi i këngëtarit.
Këngëtari Joz Marku është shoqëruar këtë të shtunë në polici. Burime bëjnë me dije se bashkë me Markun është shoqëruar edhe një person tjetër i përfshirë në këtë ngjarje. Arrestimi i tij vjen pas publikimit të pamjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe që kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa rrethanat e plotë të ngjarjes pritet të hetohen dhe konfirmohen nga autoritetet.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se video është regjistruar në Tiranë tek mbikalimi i Rinasit. Në pamje shfaqet këngëtari Jozefin Marku me disa persona të tjerë, të cilët pasi i bëjnë shenjë për të ndaluar duke përdorur tabelën e policisë së shtetit Edi Kuçit, teksa ky i fundit lëvizte me mjetin e tij McLaren, e nxjerrin nga makina dhe e dhunojnë. Ndërkohë, mësohet se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po punohet për identifikimin e personave që shfaqen në video.
Megjithatë, vlen të theksohet se video e dhunës po bën xhiron e rrjetit prej disa ditësh, ndërsa deri më sot, autoritetet nuk kishin ndërmarrë hapa lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, një ditë më parë, në Kosovë, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi hapjen e rastit penal lidhur me ngjarjen. Në Shqipëri, deri më tani, nuk kishte pasur një reagim publik të bërë të ditur nga autoritetet për këtë ngjarje.
Lidhur me këtë situatë dhe ngjarje që po shpërndahej e komentohej gjerësisht në rrjet, ZËRI ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional dhe përgjegjësinë, duke shtruar edhe pyetjen: “Ku i buron fuqia Joz Markut?”/ZËRI

