Qytetërim

Adoleshentët më të kërkuar të futbollit në merkaton e kësaj vere

Haralampos Kostulas, 17 vjeç, 185 cm, një nga talentet më premtues të futbollit grek, pjesë e skuadrës së parë të Olimpiakosit të Pireut, ka spikatur me instinktin e tij për gola

Redaksia Zëri
Adoleshentët më të kërkuar të futbollit në
FOTO ILUSTRUESE

MERKATO- Klubet e mëdha i quajnë investime të qëndrueshme ato në lojtarë adoleshentë të grupmoshave 17-19-vjeçare. Investimi në ta, edhe kur është shumëmilionësh, në rast se integrohen mirë nga skuadrat, sjellin fitime dyfishe. Investimi më ideal do të ishte rritja e tyre nga skuadrat zinxhire, mirëpo nuk ndodh shpesh kështu. Dalja në treg për 17-19-vjeçarë është përherë një zgjedhje e mençur kur akademitë rinore nuk po sjellin cilësinë e pritur për skuadrën e parë. Pse një zgjedhje e mirë? Së pari, sepse gjatë segmentit të tyre jetësor, 19-25-vjeçar, lojtarët japin vitet më të mira të fizikut të tyre për klubin dhe, së dyti, në rast shitjeje, në fundin e këtij segmenti, 24-27 vjeç, arrijnë kulmin e vlerës së kartonit për t’u shitur në treg dhe për t’i siguruar fitime skuadrës. Vera e këtij viti ka shumë adoleshentë premtues në xhiron e informacioneve të merkatos së klubeve. Mes tyre janë edhe ata të listuarit zyrtarisht në renditjen e "Next Generation" nga Goal.com, që nënkupton listën e talenteve më të mëdha botërorë nën 19 vjeç. Ne, referuar Goal.com, po rendisim për lexuesin e Zërit disa emra të tillë:

Tajler Dibling, mesfushor ofensiv 19-vjeçar i Sauthemptonit, 178 cm i lartë, i cili ka shkëlqyer këtë sezon me 30 paraqitje në të gjithë turnet, 4 gola dhe 2 asiste, pritet të mbetet në Premier League, pavarësisht rënies së klubit në Championship-in inferior. Anglezi ka tërhequr interesin e klubeve si Totenham, Njukasëll, Aston Vila, Mançester Junajtid. Interes për të ka edhe nga Bundesliga gjermane, gjigantët e Bajernit dhe Bajerit. Megjithatë, çmimi i tij, që mund të kalojë 50 milionë paund, mund të bëhet pengesë për disa klube.

Haralampos Kostulas, 17 vjeç, 185 cm, një nga talentet më premtues të futbollit grek, pjesë e skuadrës së parë të Olimpiakosit të Pireut, ka spikatur me instinktin e tij për gola, forcë fizike dhe qëndrueshmëri. Kostulas, këtë sezon luajti 35 ndeshje, shënoi 11 gola dhe dha dy asiste. Në listën e skuadrave që e ndjekin me interes janë: Mançester Junajtidi, Reali i Madridit, Arsenali dhe Aston Villa. Të njëjtat klube nuk e shpien rrugën dëm. Sa herë vëzhgojnë Kostulasin, mbajnë shënime edhe për shokun e tij të skuadrës, Kristos Muzakitis, 18-vjeçarin mesfushor, që ka gjetur edhe debutimin me kombëtaren greke, pas 32 ndeshjeve, 2 golave dhe 5 asisteve me skuadrën e parë.

Franko Mastantuono, mesfushori i talentuar argjentinas i River Plejt, pritet të jetë ylli i radhës nga Amerika e Jugut, që do të transferohet në Evropë pasi të mbushë 18 vjeç në gusht. Golashënuesi më i ri në historinë e klubit bardhekuq, ai spikat si në lojë aktive ashtu edhe në goditjet standarde. Skuadrat që e ndjekin rregullisht 17-vjeçarin janë Reali i Madridit dhe Mançesteri i Junajtid. Lojtari vlerësohet 38 milionë paund. Edhe pse 17-vjeçar, në 2 vite aktivizim me skuadrën e parë ai shënon 47 ndeshje, 5 gola dhe 4 asiste.

Sverr Najpan, i quajtur "Odegardi i ri", ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane pas një sezoni mbresëlënës me 15 gola dhe asiste të kombinuara për Rosenborg në 2024. 18-vjeçari ka zhvilluar bisedime të gjata me Arsenalin dhe Grupin e Futbollit Siti, që synonte ta dërgonte te Girona, por marrëveshja në janar nuk u arrit. Përveç Arsenalit dhe Sitit, tani janë shtuar në garë edhe Liverpuli dhe Mançesteri Junajtidi. Rozenborgu mund të përfitojë më shumë se 10 milionë paund nëse nis një luftë ofertash për talentin norvegjez.

Kris Rig, talenti 17-vjeçar i Sanderlandit, ka shkëlqyer që nga debutimi me ekipin e parë, duke tërhequr interesin e Mançester Junajtidit, Liverpulit, Njukasëllit dhe madje edhe Realit të Madridit. Edhe nëse Sunderland arrin promovimin në Premier League, për rreth 25 milionë paund ai mund ta lërë skuadrën.

Jorrel Hato, mbrojtësi i Ajaksit të Amsterdamit dhe i përfaqësueses së Holandës, ka qenë nën vëmendjen e Arsenalit, por ai zgjodhi të rinovonte kontratën me klubin e Amsterdamit vitin e kaluar. Megjithatë, është pothuajse e pamundur që 19-vjeçari të mos largohet nga ''Johan Cruyff ArenA'' këtë verë. Ai ka treguar veten si një nga talentet më të mëdhenj të Evropës për më shumë se 100 paraqitje për Ajaksin. Evropa është në nevojë për mbrojtës të majtë. Arsenali vijon interesin për të, Liverpuli po ashtu. 40 milionë paund do të kushtojë holandezi./ZËRI

Poll

MOS HUMB