Qytetërim

“Detektori i gënjeshtrave” mes një çifti të “çmendur”, vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar

Premiera do të mbahet nesër më 12 qershor në Teatrin Kombëtar, ndërsa shfaqja do të vijojë në të njëjtin teatër më 13 dhe 14 qershor.

Redaksia Zëri
“Detektori i gënjeshtrave” mes një çifti të
Kejdi Gishto dhe Çubi Metka

TIRANË-Çubi Metka, Kejdi Gishto dhe Erdit Asllanaj, do të ngjiten nesër (12 Qershor) në skenën e Teatrit Kombëtar, me premierën e komedisë satirike “Detektori i gënjeshtrave”, nën regjinë e Valdrin Hasanit.

Aktorët do të sjellin në jetë personazhe plot dinamizëm, kontradikta dhe situata komike që do e bëjnë publikun të qeshë, të reflektojë por dhe të përlotet ndërkohë, me dramat e fshehta, që mbart çdo personazh i kësaj vepre.

Përmes këtyre personazheve dhe situatave familjare e intime, vepra nxjerr në pah se si gënjeshtrat e vogla, të padukshme, por të vazhdueshme, shndërrohen në mekanizma mbijetese, por njëkohësisht edhe në burim konfliktesh dhe krizash të forta emocionale.

“Detektori i gënjeshtrave” mes një çifti të

Në qendër të veprës - vënia në skenë e së cilës u mbështet nga Bashkia Tiranë - qëndron figura e “dedektorit”, i cili pretendon të zbulojë të vërtetën absolute. Por, ndërsa ngjarjet zhvillohen, bëhet e qartë se askush nuk është i përjashtuar nga vetëmashtimi. Detektori shërben si metaforë e autoritetit moral dhe e prirjes njerëzore për të gjykuar të tjerët, duke e kthyer shfaqjen në një pasqyrë kritike të shoqërisë sot.

Përmes humorit dhe satirës, shfaqja nxit dialog publik mbi pyetje thelbësore: A është e vërteta gjithmonë zgjidhja më e mirë? Deri ku mund të na mbrojë një gënjeshtër? Dhe kur ajo shndërrohet në pengesë për marrëdhënie të shëndetshme?

Premiera do të mbahet nesër më 12 qershor në Teatrin Kombëtar, ndërsa shfaqja do të vijojë në të njëjtin teatër më 13 dhe 14 qershor. Më pas, “Detektori i gënjeshtrave” do të ngjitet në skenën e Teatrit Metropol në datat 19, 20 dhe 21 qershor, ndërsa më 22 dhe 24 qershor publiku do të ketë mundësinë ta ndjekë në Teatrin Eksperimental.

Një komedi inteligjente, aktuale dhe thellësisht njerëzore, “Detektori i gënjeshtrave”, premton të jetë më shumë se një shfaqje teatrore: një ftesë për të reflektuar mbi të vërtetat që fshehim nga të tjerët dhe, shpesh, edhe nga vetja.

Poll

MOS HUMB