TIRANË- Rituali i Dollisë prej sot njihet si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili publikoi sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare. Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.
Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.
Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore. Por ka nisur edhe një betejë për të futur ceremonialin e dollisë në UNESCO.
Profesori i Financave në Shqipëri dhe në Francë, Sherif Bundo, i ka mbledhur të gjitha copëzat e kujtimeve, përjetimeve e rrëfimeve në një libër.
“Unë jam nga Bënja e Dëshnicës, që sot bën pjesë në Bashkinë e Këlcyrës. Jam rritur në një zonë ku mikpritja ishte e shenjtë, por kulmi i saj arrihej kur ngriheshin dollitë me raki, këndoheshin këngët polifonike dhe burra e gra ngriheshin në valle. Qëkur isha fëmijë, më bënte përshtypje ky ceremonial. Gjithnjë e pyesja veten: ku i kanë mësuar këto rite kaq të bukura, të zgjuara, kush i ka artikuluar…Pasi kreva studimet e larta, punova dhjetë vjet në Skrapar. Pritja atje është një ngjarje e rrallë, me një ceremonial të veçantë. Si i huaj konsiderohesha gjithnjë mik, pas të zotit të shtëpisë më kërkohej të bëja dolli. Aty kuptova dollinë si institucion, rolin e mikut, impenjimet në ceremonial të palës pritëse dhe përjetova emocionet e veçanta të dollisë, të cilat të rrëqethin, të bëjnë të ndihesh krenar për këtë rit të bukur. Dollibashi është lideri që dirigjon, drejton sofrën, tryezën, odën dhe ka një qëllim: t’i bëjë të lumtur pjesëmarrësit, t’i bëjë ata sa më të kënaqur. Aty e ka pushtetin dhe magjinë fjala, e jo sasia e alkoolit që konsumohet,”- thotë Bundo, i cili është duke bërë përpjekje që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore, e madje edhe të mbrohet nga Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO.
Ai thotë se dollitë vijnë nga lashtësia – në dasma, fejesa, pritje, përcjellje e gosti. Bundo thotë se e ka studiuar me vite këtë vlerë shpirtërore dhe këmbëngul me bindje se ajo është vetëm shqiptare. Ai është ndër nismëtarët e një grupi të madh intelektualësh, personalitetesh të njohura, por edhe bashkive dhe shoqatave që kërkojnë që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Njëlloj si polifonia./ZËRI